Shtetasit e huaj kanë 3 herë më shumë mundësi të arrestohen për abuzime seksuale sesa qytetarët britanikë. Analiza e shifrave është publikuar në të përditshmen britanike “The Telegraph”. Policia britanike bëri më shumë se 9 mijë arrestime të shtetasve të huaj për shkelje seksuale në 10 muajt e parë të vitit të kaluar.
Kjo përfaqësonte një të katërtën (26.1%) të gjithsej 35 mijë arrestimeve të bëra për abuzime seksuale në të gjithë vendin. Të huajt kishin 3.5 herë më shumë gjasa për t’u arrestuar për vepra të tilla sesa britanikët. Norma është 165 arrestime për 100 mijë të popullsisë emigrante kundrejt 48 arrestime për 100 mijë britanikë. Të huajt përbëjnë 9% të popullsisë britanike, por ata përfshinin 16.1% të numrit total të arrestimeve.
Në krye të tabelës së krimeve vendosen shqiptarët si kombësia më e mundshme për t’u arrestuar, të ndjekur nga afganët, irakianët, algjerianët dhe somalezët. Analiza është bërë pas pretendimeve për shkallën e krimit të emigrantëve. Në Britani po rriten kërkesat për të pasur një hetim publik në lidhje me skandalet seksuale dhe cila është përkatësia etnike e të dyshuarve.
Kanë qenë deputetët konservatorë që i kanë kërkuar qeverisë të publikojnë këto të dhëna, siç bëhet në Danimarkë dhe në disa shtete të SHBA-së.
Për të gjitha krimet në përgjithësi, rumunët përbënin numrin më të madh të arrestimeve me (11 678) të ndjekur nga polakët (9 583), shqiptarët (5 665), indianët (5 414), pakistanezët (4 171), nigerianët (3 317), lituanezët (3 253) dhe iranianët (3 000).
Nga viti 2021, shqiptarët kishin shkallën më të lartë të arrestimeve me 209.8 arrestime për 1000 banorë të ndjekur nga afganët (106.9), irakianët (92.9), algjerianët (72.7), marokenët (70) dhe somalezët (64.6). Shkalla për të dyshuarit britanikë ishte 12.
Qeveria britanike publikoi të dhëna edhe për përkatësinë etnike të personave të arrestuar që mbahen në burgje ku shqiptarët janë kombësia më e madhe, me 13%, të ndjekur nga polakët, rumunët, irlandezët dhe xhamajkanët.