Policia ka arrestuar 12 tutore dhe 1 oficere policie pasi shfrytëzonin vajza të huaja për prostitucion. Autoritetet zbuluan se grupi kriminal kishte detyruar rreth 50 vajza të huaja nga Kolumbia të punonin si prostituta në kushte të pasigurta.
Nuk dihen ende detaje nga operacioni policor dhe roli i efektives në këtë rrjet prostitucioni. Mësohet se oficerja e policisë është Anisa Brahja, nënkomisare e Komisariatit nr. 4 në Tiranë.
Mes 11 urdhër-arresteve të firmosura me vendim gjykate, është edhe një grua kolumbiane, e cila është shpallur në kërkim, pasi aktualisht ndodhet në Kolumbi. Pjesa tjetër janë ekzekutuar nga Antitrafiqet e Tiranës dhe në mesin e të arrestuarve është edhe oficerja Anisa Brahja.
Në Shqipëri, kolumbiania kishte punësuar një shofer taksie që merrej me vajzat si tutor dhe i dërgonte asaj paratë në Kolumbi përmes bitcoin dhe Western Union. Vajzat që vinin nga Kolumbia, priteshin në Rinas dhe akomodoheshin kryesisht nëpër airbnb. Çmimet që paguheshin nga klientët ishin relativisht të larta, nga 200 deri në 250 euro.
Operacioni ka qenë rezultat i një hetimi mes Autoritetit të Monitorimit të Policitë (AMP), me mbështetje nga sektori kundër trafiqeve.