Shit-blerjet e produkteve e pajisjeve, në 118 raste me vlerë totale 670 milionë lekë, ai i ka realizuar nëpërmjet kompanisë së tij “Risku Sh.p.k”; ndërsa sipas informacioneve të SHISH e Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara ku është zv/drejtor, ai furnizon me ushqime e mjete pastrimi nga kompania e tij edhe 132 restorante, Fast-Food e hotele të sekuestruar në Sarandë, Vlorë, Fier, Durrës, Tiranë, Elbasan…
Një nga zyrtarët qendrorë që përdorë bizneset e tij private, për të përfituar nga shfrytëzimi i pasurive në administrim të shtetit, është Erion Musa Riçku, de-facto me detyrë Zv/drejtor i Agjencisë së Pasurive të Sekuestruar në Ministrinë e Brendshme.
Sipas informacioneve e dokumenteve që disponon “Pamfleti”, rezulton se shefi i pasurive të sekuestruara nga SPAK, prokuroritë dhe gjykatat e rretheve, furnizon bar-kafet, restorantet, Fast-Food-et dhe hotelet e sekuestruara, me produkte ushqimore, pastrimi, pajisje mobilimi e elektro-shtëpiake, duke i blerë nga kompanitë e tij.

Këtë biznes me pasuritë që administron shteti, Erion Riçku vazhdon ta bëjë prej 7 vitesh, me produktet e pajisjet që furnizon resortin e “Santa Quaranta” të krye-trafikantit Klement Balili në Sarandë, ku ai u emërua krye administrator shtetëror më 5 dhjetor 2017.
Shitjet në 118 raste, për furnizimin e resortit “Santa Quaranta” etj., me vlerë totale 670 milionë lekë, ai ka realizuar nëpërmjet kompanisë së tij “Risku Sh.p.k” me qendër në Laprakë-Tiranë, ku është ortak me prindërit, Musa e Hasije Riçku dhe dy vëllezërit Klodian e Nimet Riçku.

Produktet ushqimore dhe pajisjet që tregton kompania e tij, i ka shitur si pronar e i ka blerë vetë si administrator shteti pa tender, për resortin e sekuestruar “Santa Quaranta” në Sarandë, ku ishte në këtë detyrë deri më 27 korrik 2021.
Por edhe pasi u emërua shef te Agjencia e Pasurive të Sekuestruara në Ministrinë e Brendshme, Erion Riçku, nuk e ka shkëputur biznesin e shitjes së produkteve për resortin e krye trafikantit Klement Balili dhe te bizneset e tjera ushqimore të sekuestruara.
Përveç kompanisë “Risku Sh.p.k”, produktet ushqimore dhe materialet e pastrimit, shefi i pasurive të sekuestruara, Erion Rriçku, ua shet dhe nëpërmjet magazinave të tij “Big Market”, ku babai i tij Musa Riçku është bashkëpronar me deputetin e PS-ës, Vullnet Sinaj, ndërsa administratorë janë babai dhe vëllai.
Sipas të dhënave, këto produkte te resorti “Santa Quaranta-Sarandë”, duke bashkëpunuar me Bashkim Balilin, por dhe në subjekte të tjera të sekuestruara, ai i ka shitur me çmime 2-3 herë më të larta se çmimet që shiten në dyqanet e rrjetit “Big Market” dhe në krejt tregun shqiptar, duke krijuar humbje në të ardhurat e shtetit, por duke shtuar fitimet e tij.
Sipas informacioneve të SHISH e Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara ku është zv/drejtor, ai furnizon me ushqime e mjete pastrimi nga kompania e tij, edhe 132 restorante, Fast-Food e hotele të sekuestruar në Sarandë, Vlorë, Fier, Durrës, Tiranë, Elbasan etj.
Por sipas thesarit të shtetit, me kompaninë e tij “Risku Sh.p.k” e dyqanet “Big Market”, u ka shitur produkte edhe çerdheve, kopshteve, konvikteve, reparteve ushtarake e spitaleve, bashkë me deputetin e PS, ortakun Vullnet Sinaj
Te Agjencia e Pasurive të Sekuestruara në Ministrinë e Brendshme, Erion Riçku komandon dhe Sektorin e Administrimit Ekonomiko-Financiar të Pasurive e Pronave Materiale, që lidhen me bizneset tij private.