Kontenierët me mbetje të rrezikshme të nisura nga porti i Durrësit drejt Kinës dhe Tajlandës kanë zbuluar një skandal të madh. Investigimet kanë nxjerrë në pah një marrëveshje të fshehtë mes kompanisë “Kurum” dhe “Sokolaj”(kompani e cila u mor në mbrojtje nga ana e qeverisë në lidhje me këtë skandal).
Pra, thënë shkurt “Kurum International” është origjina e qindra ton mbetjeve të dyshuara si të rrezikshme që janë eksportuar nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën, duke përhapur një alarm global.
Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për kompaninë “Kurum”, e cila si kundërpërgjigje, ka kërcënuar me largimin nga puna të rreth 500 punëtorëve.
Kompania turke, e cila operon në Shqipëri që prej vitit 1998 ka mbyllur uzinat duke ndaluar punën me pretendimin se është në proces remonti. 500 punëtorë të uzinës së çelikut dhe të uzinës së petëzimit janë njoftuar për ndërprerjen e njëanshme të kontratës pa arsye zyrtare për pezullimin.
Sipas kompanisë kjo mbyllje ka ardhur për vështirësi ekonomike dhe nuk ka lidhje me mbetjet e rrezikshme, por është shumë e dyshimtë se si këto ngjarje kanë ndodhur në të njëjtën kohë.
Megjithatë, “Kurum” vazhdon të prodhojë mijëra ton mbetje të rrezikshme të hirit të oxhakut çdo vit. Këto mbetje, të cilat përmbajnë oksid zinku (ZnO), klasifikohen si substanca të rrezikshme. Qytetarët tregojnë se “Kurum” po bën veprimet e fundit, në prag të falimentit, duke groposur materiale me mbetje toksike për të humbur gjurmët e materialeve të rrezikshme e me rrezatim.
Ajo që duhet të dinë gjithë shqiptarët është se “Kurum” është kompania, ku qeveria dhe opozita mbushin lugët të dyja duke përfituar miliona euro. Opozita e nisi me vrull të madh denoncimin e mbetjeve toksike, por kur zbuloi se kush fshihej pas tyre, shumica e braktisën luftën. Bosat e Kurum kanë qenë financues të fushatës së Partisë Demokratike.
Ndërsa qeveria ka vite që e mbështet kompaninë, e cila ka helmuar një qytet të tërë, por jo vetëm. Nga ana tjetër, zyrtarët e Portit të Durrësit, normalisht me urdhër nga lart, janë ata që kanë lejuar eksportin e mbetjeve toksike nga Shqipëria drejt Tajlandës.
Dyshimet janë se kalimi i tyre është bërë i mundur falë korruptimit të strukturave të hetimit doganor në Tiranë dhe atyre të turnit në port, duke i konsideruar të gjithë kontenierët si oksid zinku, me një fletë analize të vetë subjektit Sokolaj shpk.
Madje flitet se Gent Gazheli ishte në dijeni të këtij skandali, por ka heshtur.