Në një operacion të gjerë policor në 5 vende të Europës u arrestuan 234 persona. Sipas agjencisë evropiane të policisë Europol, operacioni është një nga më të mëdhenjtë në vite kundër krimit të organizuar. Europol e quan atë “një goditje çekiçi për krimin e organizuar”.
Operacioni i policisë u fokusua në katër rrjete kriminale të përfshira në trafikun e drogës, pastrim parash dhe krime të dhunshme. Rrjetet kriminale tentuan të kontrabandonin kokainë nga Amerika e Jugut nga deti dhe toka në Turqi dhe Evropë.
Heroina vinte nga Irani dhe Afganistani, kanabisi nëpërmjet Ballkanit dhe pilulat ekstazi (MDMA) nëpërmjet vendeve të tjera evropiane.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi më shumë se 21 ton drogë, duke përfshirë 3.3 milionë tableta MDMA. Gjithashtu janë konfiskuar 681 prona, 127 automjete dhe 300 milionë euro cash. Aksioni u zhvillua në Turqi, Belgjikë, Gjermani, Spanjë dhe Holandë.
Gjithsej 234 të dyshuar u arrestuan, duke përfshirë 225 në Turqi.
“Topi” filloi të rrotullohej pasi policia franceze ndau të dhënat e hakuara të Sky ECC me Turqinë. Në operacion mori pjesë një degë e policisë federale belge me fokus krimin e organizuar, si dhe policia gjyqësore federale e Flanders Lindore.
Sipas Andy Kraag nga Europol, kjo është “një goditje çekiçi për krimin e organizuar”. Ai thekson se janë arrestuar edhe drejtues bandash. Operacioni u bë i mundur nga mesazhet e përgjuara nëpërmjet sistemeve të komunikimit të koduar Sky ECC dhe ANOM të çmontuar më parë. Këto mbeten të dobishme në kërkimet e vazhdueshme. Arrestime të mëtejshme nuk mund të përjashtohen, sipas Europol.