Takimi mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, përfundoi me tensione të larta, duke nxjerrë në pah ndryshimet e mëdha në qasjen e administratës së re të SHBA ndaj konfliktit në Ukrainë.
Gjatë konferencës në Shtëpinë e Bardhë, Trump theksoi se është i vendosur për ta çuar drejt përfundimit luftën mes Ukrainës dhe Rusisë, duke nënvizuar rëndësinë e një marrëveshjeje diplomatike. “Ju ose do të arrini një marrëveshje, ose ne do të tërhiqemi. Dhe nëse tërhiqemi, do ta luftoni vetë këtë luftë. Nuk besoj se do të jetë e bukur,” deklaroi Trump.
Nga ana tjetër, Zelenskiy refuzoi idenë e negociatave me presidentin rus, Vladimir Putin, duke thënë se ai nuk mund të besohet. “Nuk mund të bësh kompromise me një vrasës,” u shpreh lideri ukrainas, duke i bërë thirrje SHBA-ve që të mos dobësojnë mbështetjen ndaj Ukrainës.
Trump gjithashtu kritikoi qëndrimin e Zelenskiyt dhe e akuzoi për mungesë mirënjohjeje. “Nuk ke treguar asnjë shenjë falënderimi. Nuk është një gjë e mirë,” i tha ai presidentit ukrainas. Ndërkohë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance shtoi se Zelenskiy nuk duhet të vinte në Shtëpinë e Bardhë për të imponuar pozicionin e tij. “Nuk the ‘faleminderit’,” iu drejtua ai liderit të Ukrainës.
Përplasja mes dy liderëve kulmoi me largimin e parakohshëm të Zelenskiyt nga takimi, pa arritur një marrëveshje mbi një pakt të mundshëm për zhvillimin e burimeve natyrore të Ukrainës me kompanitë amerikane. Ky zhvillim ka ngritur shqetësime për të ardhmen e mbështetjes amerikane për Ukrainën, pasi marrëveshja nuk përfshinte garanci të drejtpërdrejta të sigurisë nga SHBA.
Madje Trump iu drejtua Zelenskiy duke i thënë se ai ‘po luan bixhoz me Luftën e Tretë Botërore’.
Ndërkohë që Evropa përpiqet të sigurojë angazhimin amerikan për stabilitetin në rajon, mbetet e paqartë se si do të ndikojë kjo përplasje në mbështetjen e ardhshme ndaj Ukrainës, në një kohë kur luftimet me Rusinë vazhdojnë.