Në media të ndryshme një ditë më parë përmes burimeve zyrtare është mësuar se gjatë hetimeve për Erion Veliajn SPAK po kryen hetime paraprake ndaj deputetes socialiste Klotilda Bushka. Sipas burimeve, Bushka dyshohet për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Të njëjtat burime bënë me dije se deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë te dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim, deputetja Klotilda Bushka, ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024.
Në vendimin e GJKKO-së zbulohet edhe roli i Klotilda Bushkës, se si deputetja socialiste është e përfshirë në veprimtari kriminale, në mbrojtje të Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës.
Në vendim janë zbardhur të gjitha detajet që tregojnë se si Klotilda Bushka kishte thirrur në takim, në datën 10.12.2024, shtetasen Ina Goxhaj pas njoftimit për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme për ta urdhëruar që të mohonte gjithçka gjatë procesit të pyetjeve në SPAK.
Takimi i dytë është zhvilluar pasdite në datë 11.12.2024, ku deputetja socialiste Klotilda Bushka e ka thirrur shtetasen Ina Goxhaj për ta mësuar se çfarë duhet të thoshte në Prokurorinë e Posaçme dhe çfarë duhet të mohonte kategorikisht.
“Pas njoftimit për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme ka realizuar disa takime me shtetasen Klotilda Bushka, Ajola Xoxa, apo edhe me disa avokatë.
Takimi i parë është zhvilluar me shtetasen Klotilda Bushka (të cilën e ka kushërirë) në datë 10.12.2024, në banesën e prindërve të Klotildës që ndodhet pranë Shkollës së Kuqe. Ka shpjeguar se në këtë takim i ka treguar Klotildës që e kanë thërritur në prokurori, dhe Klotilda e ka urdhëruar që të mohonte gjithçka gjatë pyetjes së saj.
Takimi i dytë është zhvilluar pasdite në datë 11.12.2024, në ambientet e një zyre avokatie, ku pikë kontakti për këtë takim ka shërbyer shtetasi Erald Ismaili i cili e ka telefonuar vetë shtetasen Ina Goxhaj. Në takim ka gjetur Klotilda Bushkën, dhe një djalë tjetër të cilin nuk e di kush është. Fillimisht, ka biseduar me Klotildën, për të cilën sqaron se ajo e mësonte se çfarë duhej të thoshte, gjërat që do të mohoheshin në mënyrë kategorike. Klotilda i ka treguar Inës se gjatë deklarimit duhej të thoshte që ajo (Ina) ishte nismëtare e projektit të dancit, por është marrë Harabeli me organizimin”.