Ka nisur në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Apelit, seanca për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, e cila u shty dje për arsye të paraqitjes së provave të reja nga Prokuroria e Posaçme për Veliajn.
Në sallën e gjyqit ndodhen kreu i SPAK Altin Dumani dhe prokurori Olsi Dado.
Në fjalën e tij në Apelin e GJKKO, Erion Veliaj ka kërkuar lirinë.
Duke folur për ‘provat e reja’ që SPAK ka dorëzuar, Veliaj është shprehur se përse nuk u konsideruan prova të reja sulmet e Berishës ndaj SPAK, teksa shtoi se nuk ka sekrete në bisedat me familjarët.
“Keni sjell “prova të reja”, kërkoj të sillni kamerat dhe kjo seancë të jetë e hapur për median. Silllni mediat që t’i deklaroj publikisht edhe para tyre përgjimet e kryera ndaj meje. Nuk kam asnjë sekret në bisedat e telefonike me familjarët e mi nga kabina burgut. Më izoluat 1 muaj në burg që të gjenit “prova të reja. Saliu e ofendoi SPAK dhe e akuzoi si organizatë kriminale, çfarë e gjeti? Pse nuk u konsideruan prova të reja sulmet e Berishës ndaj SPAK?”, ka thënë Veliaj.
Veliaj më pas ka kundërshtuar provat e reja të paraqitura nga SPAK, duke theksuar se ato nuk përbëjnë elemente të reja të ligjshme. Ai kërkoi seancë me dyer të hapura.
Seanca një ditë më parë u shty pasi mbrojtja e Veliajt kërkoi kohë të njihej me provat e reja që dorëzuan dy prokurorët e posaçëm Ols Dado dhe Altin Dumani.
Dy avokatët Ermir Beta dhe Artur Selmani kanë kërkuar masë më të butë sigurie për Veliajn kundrejt garancisë pasurore, me argumentin se nuk ka rrezik që të prishë provat. Ndërkohë, edhe sot Veliaj do të jetë i pranishëm në seancë, ku pritet edhe të flasë para gjyqtarit Engert Pëllumbi. Do jetë ky i fundit që do të vendosë nëse Veliaj do të lirohet ose jo nga qelia, ndërsa njihet edhe si gjyqtari që dënoi ish-ministrin socialist Saimir Tahiri.
Lirinë e ka kërkuar edhe biznesmeni Elma Abule, i cili ndodhet në arrest me burg i akuzuar për pastrim parash. Edhe avokatja e tij, Romina Zano, kërkoi masë më të butë kundrejt garancisë pasurore. Pranë Apelit të GJKO ishte edhe Joshua Roberts, përfaqësues i studios ligjore amerikane “Kasowitz Benson Torres LLP”, e cila po këshillon kryebashkiakun Veliaj.
Avokatët mbrojtës të tre biznesmenëve Shkëlqim Fusha, Gentian Sulës dhe Meriman Palushit, kanë kërkuar heqjen e masës detyrim paraqitjeje, me argumentin se nuk është në nivelin e standardit ligjor, pasi sipas tyre provat nuk janë të mjaftueshme. Sula dhe Palushi nuk ishin të pranishëm fizikisht në seancë, ndërsa u përfaqësuan vetëm nga avokatët e tyre. Të tre akuzohen për korrupsion aktiv.
Masën e sigurisë nuk e ka ankimuar në Shkallën e Dytë të gjyqësorit, Ajola Xoxa, Sokol Kryeziu dhe Fatmir Bektashi. Kryebashkiaku Veliaj mbahet në qeli që prej 10 shkurtit dhe akuzohet për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”, të kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, e cila po hetohet në masë detyrim paraqitje, edhe për mosdeklarim pasurie.