Zbardhen detaje nga paraqitja në SPAK e ish-kryebashkiakut të Shkodrës, Bardh Spahia.
Sot ishte hera e tretë që ai ngjiste shkallët e prokurorisë dhe sipas burimeve atij i është komunikuar se është vënë nën akuzë për “shpërdorim detyre”. Nga sot Spahia është zyrtarisht i pandehur.
Çështja që ka vënë në lëvizje SPAK, nuk ka lidhje as me tenderat, as me dyshime korrupsioni por me vendimin e asaj kohe për të larguar nga detyra drejtorin e ujësjellësit të qytetit Mark Molla, i cili ishte emëruar prej kohësh kur bashkinë e drejtonte Voltana Ademi.
Bardh Spahia është kallëzuar nga Molla që pretendon se ish-kryebashkiaku e ka shkarkuar nga detyra pa të drejtë. Vetë Spahia nuk ka dhënë asnjë shpjegim për mediat mbi këto akuza.
Spahia ishte në SPAK edhe në 24 Dhjetor 2024, ku u pyet për më shumë se një orë e 20 minuta. Po ashtu ai është paraqitur edhe më 2 tetor të vitit të kaluar.