Disa ditë më parë ka humbur jetën në Bolivi 40-vjeçari shqiptar Roland Dedja nga Durrësi. Ai njihej me nofkën “Fantazma” për shkak se ishte arratisur disa herë nga burgjet italiane.
Dje u raportua nga mediat vendase se Dedja u gjet i vdekur në një banesë të marrë me qira bashkë me një shok në Santa Cruz të Bolivisë. Mësohet se ai ka humbur jetën si pasojë e një ataku kardiak.
Sipas autoriteteve boliviane, Roland Dedja ka hyrë në Bolivi në Nëntor 2023. Ai mori me qira një shtëpi dhe jetonte me një mik bolivian që po ndiqej penalisht për mashtrime.
Në 25 Shtator 2023 ai u arratis nga burgu i Teramos në Abruzo, i ndihmuar nga një dron i jashtëm, i cili transportoi mjetet e nevojshme që u përdorën më pas nga 40-vjeçari për të prerë kangjellat dhe për të zbritur me litar.
Dedja në momentin e arratisjes, ishte në pritje të gjykimit për drogë dhe për grabitje. Ai më parë ishte akuzuar edhe për vrasjen e shqiptarit Shpëtim Cupa në Brescia, Itali.
Kjo nuk ishte arratisja e parë e 40-vjeçarit pasi ai edhe në vitin 2010 është arratisur nga burgu i Pisas, së bashku me një tjetër shqiptar.
Arratisja e “Fantazmës”
I burgosuri Roland Dedja është bërë kryefjala e mediave italiane një vit më parë për arratisjen e tij të sofistikuar nga burgu.
Arratisja spektakolare e shqiptarit nga burgu i Teramos, në Itali ngriti në “këmbë” autoritetet por vuri në dukje edhe mangësi të sistemit atje përsa i përket stafit, kapaciteteve dhe të teknologjisë së përshtatshme.
Sipas asaj që shkruanin mediat italiane, Dedja është ndihmuar nga një dron i jashtëm.
Zhdukja e shokut të tij
Hetimet tregojnë Dedja hyri në Bolivi përmes Desaguadero në nëntor 2023. Ai mori me qira një shtëpi në zonën veriore të Los Tusequis dhe dihet se në momentin e vdekjes së tij, ai jetonte me një mik bolivian që po ndiqej penalisht për mashtrim.Sipas hetimeve të Prokurorisë dhe Policisë, shoqëruesi i tij është zhdukur që nga dita e vdekjes së Dedja. Rasti është raportuar në Interpol, por ende janë duke u kryer disa hetime.