Disa ditë më parë u denoncua fakti se kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, reklamonte në internet shpërndarjen e 300 legalizimeve në Njësinë Administrative Strum. Një proces i shumë debatuar, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndaluar legalizimet në këmbim të votës.
Ndërkohë, në të njëjtën kohë, “Sulltanesha” e Roskovecit ka finalizuar një tender në të njëjtën Njësi Administrative. Pas legalizimeve, Bufi do të shtrojë disa rrugë me asfalt.
Një përdorim i fondeve publike për interesa politike dhe për vota, ku me këto veprime Majlinda Bufin duket se nuk e pengon asnjë gjë. Asnjë institucion kontrollues apo edhe ligjzbatues, ku ajo vepron hapur vetëm e vetëm që të dalë mirë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.


Sipas dokumenteve rezulton se kryetarja e Bashkisë së Roskovecit ka shpallur në datën 13 mars 2025 fituesin e tenderit për të shtruar rrugët me asfalt në Njësinë Administrative Kuman.
50 ditë para zgjedhjeve, Bufi po sfidon këdo, duke vepruar hapur pa kurrfarë frike. Madje, edhe pas denoncimit të parë për dhënien e legalizimeve ajo s’u tërhoq, pavarësisht se opozita e denoncoi në SPAK.
Po kësaj herë, a po përdor asfaltin për vota?!
Normalisht që po, pasi vetëm disa javë para zgjedhjeve firmos fituesin e tenderit për punë publike. Bëhet fjalë për procedurën “riparimi i shtresave sipërfaqësore të rrugëve të NJA Kuman”, me një afat 6 muaj. Fitues doli firma “2 N” me vlerë 24.600.000 lekë pa TVSH.

Bufi ka përdorur edhe asfaltin për vota në zgjedhje. Në dokumentet shoqëruese, ajo kërkon që të shtrojë me asfalt të varfër disa rrugë të shkurtra. Kërkon asfatimin e rrugëve “Fasli Shurdha”, “Dani Xhafa”, “Syrri Balla” në fshatin Kuman. Një rrugë është 605 metra e gjatë dhe dy të tjerat nga rreth 250 metra të gjata.
Ndërkohë, kërkon asfalt edhe në rrugën “Kadri Plaka” në Vidhisht e gjatë 318 metra dhe dy rrugë “Nasil Kaçeli” dhe “Kroni Prifti” në Marinës. Do të shtrojë me asfalt edhe rrugën “Brengas” në fshatin Luar.
Në dokumente thuhet se asfalti do të fillojë nga data e nënshkrimit të kontratës dhe mbaron deri më 6 muaj. Por, “enti kontraktor mund të shtojë rreshta në varësi të zërave të punimeve dhe kollona në varësi të afatit të parashikuar për realizimin e tyre”. Çka do të thotë se, nëse familje apo lagje kërkojnë asfalt ndoshta në këmbim të votave, mund t’a shtojë në këtë tender.
Nga verifikimi i dokumentacionit në openprocurement.al, ky tender rezulton me flamur të kuq, çfarë krijon dyshime për paracaktimin e fituesit.
Gjithashtu edhe kriteret e vendosura për realizimin e këtij tenderi, në raport me vlerën e tij, janë të fryra, duke filluar nga numri i lartë i punonjësve, i pajisjeve dhe mjeteve, që pengon konkurrencën në pjesëmarrje.
