Në 10 vjet është akuzuar për 2 vrasje. Të paktën të dokumentuara dhe për të cilat drejtësia ka folur. Të parën në Greqi, për të cilën është dënuar me 18 vjet burg dhe të dytën në Shqipëri, ku është dënuar me burgim të përjetshëm në mungesë.
I ka shpëtuar dy atentateve me armë zjarri në Tiranë e Gjirokastër dhe një sulmi më thikë në burgun e Koridhalosë në Greqi.
Prej 4 muajsh është i arrestuar në Greqi me qëllim ekstradimi në Shqipëri. Por para se të kthehet për të vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm në vendin tonë, duhet të shlyejë edhe 2 vite burg në shtetin helen.
Nga ana tjetër ka dhe një çështje të hapur me drejtësinë. Aktualisht, në Gjykatën e Posaçme ka nisur gjyqi ndaj tij për, vrasje të mbetur në tentativë, prodhim dhe shitje narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Ky është Jani Alia, 48 vjeç nga Tepelena.
Për disa vite, Policia e Shtetit e rendiste në krah të 5 personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, si Talo Çela, Ibrahim Lici, Erjon Llapushi dhe Laert Haxhiu, ky i fundit tashmë i zoluar në qeli.
Emri i tij lidhet me një zinxhir vrasjesh e plagosjesh të ndodhura për larje hesapesh në Gjirokastër, Tepelenë, Tiranë, Durrës e Fier.
Janë pikërisht këto ngjarje, që pasi kulmuan në vitin 2016, nisën të pasojnë njëra – tjetrën dhe nxorën në sipërfaqe përplasjet e dy grupeve nga Tepelena. Deri në atë kohë dihej pak, ose aspak për aktivitetet e tyre, që në shumicën e rasteve ishin shtrirë edhe përtej kufijve.
Dy personazhet kryesore që duket se ideuan dhe realizuan disa atentate, të finalizuara e të dështuara, ishin Elton Çiça, i cili u vra në Tiranë dhe Jani Alia që u dënua me burgim të përjetshëm për ekzekutimin e tij.
Përplasja e grupeve të Tepelenës
Hakmarrja mes dy djemve nga Tepelena, Elton Çiça dhe Jani Alia, nisi në vitin 2006 pas një vrasjeje në rajonin e Atikës Perëndimore. U zhvendos më vonë në burgun e Koridhalosë në Greqi e më pas u pasua me plagosje e vrasje mes dy grupeve, në Gjirokastër, Tiranë, Durrës e Fier. Kjo përplasje, që u duk se kishte nisur nga një sherr banal, në fakt zhvilloi një sagë të përgjakshme, që për 10 vjet shkaktoi 4 të vrarë, 5 të plagosur dhe disa atentate të dështuara që Çiça e Alia, i bënë njëri-tjetrit, më vonë edhe ndaj miqve të tyre.
Pas ngjarjes së datës 1 maj 2016, ku mbeti i vrarë Elton Çiça, Policisë së Tiranës i është dashur të gjurmojë të shkuarën e hershme të viktimës për të zbuluar motivin e vrasjes së tij në kryeqytet. Burime nga grupi hetimor thanë në atë kohë se Çiça u ekzekutua për motive hakmarrje, që lidhej me një vrasje të ndodhur në vitin 2006. Në rajonin e Atikës Perëndimore, në Greqi, Jani Alia goditi për vdekje me thikë djalin e shtetasit Shyqo Ballazhiu, nga fshati me emrin Zhapokikë, i Memaliajt. Viktima, E. Ballazhiu 20 vjeç, ishte shoku i fëmijërisë së Elton Çiçës, bashkëmoshatar i tij. Ata ishin rritur bashkë në Tepelenë dhe Çiça ishte interesuar shumë për të mësuar se kush ishte autori i vrasjes së shokut të tij.
Në momentin që e ka marrë vesh se autori ishte po ashtu nga Tepelena dhe sapo ka mësuar emrin e tij, Elton Çiça i ka dërguar fjalë në burg Alisë, duke i thënë se do merrte hak për këtë vrasje. Jani Alia, ishte arrestuar nga Policia helene dhe ndodhej në paraburgim. Rreth 3 vite më vonë, ndodh që arrestohet në Greqi edhe Elton Çiça. Dy tepelenasit rastis të përballen në të njëjtin vend, në Burgun e Koridhalosë, Alia i dënuar me 18 vjet burg për vrasje dhe Çiça me 5 vjet për drogë.
Aty ndodhi përplasja e parë fizike mes tyre, pasi Çiça plagosi me thikë Alinë kur ndodheshin në ajrim. Disa javë pas kësaj ngjarje, Jani Alia del me leje nga burgu, pasi kishte bërë 10 vjet, por nuk kthehet më në burg dhe shpallet në kërkim nga Policia greke. Pak kohë më pas lirohet edhe Elton Çiça, pasi përfundon dënimin. Pas këtij momenti nisin edhe atentatet.
Megjithatë, duket se edhe një ngjarje e vitit 2015 në Tepelenë, shtoi emra të tjerë në listën për hakmarrje të Çiçës. Më 30 mars të atij viti, disa persona i grabisin dhe i dhunojnë prindërit Elton Çiçës, të cilët ai më pas i gjen dhe vendos të bëjë vetëgjyqësi. Një nga autorët e dyshuar vritet dy muaj më vonë, tjetri arrin t’i shpëtojë një atentati me eksploziv, ndërsa një tjetër i dyshuar, ekzekutohet pas 6 vitesh në një atentat që nuk u lidh asnjëherë zyrtarisht me hakmarrjen e Çiçës.
Grabitja e prindërve të Elton Çiçës
Mbrëmjen e 30 marsit të vitit 2015, një grup personash grabitën me armë banesën e prindërve të Elton Çiçës, Naim e Antonela Çiça, në Tepelenë. Sipas dosjes së Prokurorisë së Gjirokastrës, grabitësit e maskuar kanë hyrë në banesën e dy të moshuarve dhe pasi kanë ushtruar dhunë ndaj tyre, u kanë vjedhur një sasi prej 5 mijë eurosh e janë larguar. Prokuroria e Gjirokastrës arriti në përfundimin se grabitja ishte realizuar nga shtetasi: Robert Rama, Ervis Imeri, si dhe Sokol e Arben Jella. Në dosje thuhej se Ervis Imeri ishte personi që kishte dijeni për paratë në shtëpinë e prindërve të Çiçës.
Prokuroria e Gjirokastrës
Nga hetimi ka rezultuar se ka qenë pikërisht shtetasi Ervis Imeri, i cili ka marrë nga qyteti i Tiranës për në Tepelenë, në banesën e shtetasit Elton Çiça, një ndër autorët e ngjarjes, shtetasin Robert Rama, me qëllim që ky i fundit të studionte nga afër banesën ku do të kryhej vjedhja. Ervis Imeri ka pasur dijeni të plotë në lidhje me gjendjen e një shume të madhe financiare që ka pasur i dëmtuari Elton Çiça, i cili përveç të tjerash, dispononte shumë pasuri dhe u kishte dhënë hua shuma të konsiderueshme parash atij dhe vjehrrit të tij ndërtues.
Ndërkohë 4 vite pas ngjarjes, më 22 janar të vitit 2019, Policia rrestoi si të dyshuar për këtë ngjarje edhe Erigers Mihasin, i cili u ndalua në zonën e Yrshekut, në Tiranë.
Policia e Tiranës
Si rezultat operacionit të koduar “Yrshek”, kapet në Tiranë, 30-vjeçari Erigers Mihasi, për të cilin Prokuroria e Gjirokastrës kishte urdhëruar ndalimin e tij, pasi ka dyshime të arsyeshme se ky shtetas ka marrë pjesë në vjedhjen me armë të banesës së shtetasit Naim Çiça, në qytetin e Tepelenës më datë 30 mars 2015.
Në dosjen e Prokurorisë së Gjirokastrës thuhej se Erigers Mihasi është zbuluar si i implikuar në ngjarje, pas vrasjes së 4 tetorit 2018 në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinj e Eljon Hato. Mihasi u paraqit në Spitalin e Traumës për t’u interesua për miqtë e tij të plagosur por edhe për viktimën, të cilin e kishte shok dhe në atë moment Policia e shoqëroi dhe mori shenjat e gishtërinjve të tij.
Ekspertimi daktiloskopik zbuloi se gjurmët e gishtave në një paketë cigaresh, që ishte gjetur në makinën e autorëve të grabitjes në shtëpinë e prindërve të Elton Çiçës, ishin të Erigers Mihasit. Megjithëtë kjo provë duket se nuk bindi prokurorin e çështjes, i cili 6 muaj pas arrestimit, në korrik të vitit 2019, kërkoi lirimin e Erigers Mihasit nga qelia. Akuza kërkoi zëvendësimin e masës, nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje pranë policisë gjyqësore”, kërkesë që u pranua nga Gjykata. Megjithëse u lirua nga qelia, hetimet për Mihasin vijuan në gjendje të lirë për “vjedhje me armë”, kryer në bashkëpunim, “plagosje të rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim dhe “mbajtje pa lejë të municioneve luftarake”.
Ndërsa në mars të vitit 2021 hetimet për Erigers Mihasin u pushuan. Megjithatë, ai u ekzekutua pak kohë më vonë, konkretisht më 13 nëntor të vitit 2021, në zonën e “Astirit”, në Tiranë, bashkë me mikun e tij Armando Dumani. Kjo ngjarje vijon të mbetet pa autor, edhe pse Prokuroria nuk e ka lidhur me grabitjen e Tepelenës, por më tepër me përplasjet e grupit të Ervis Martinajt dhe rivalëve të tij, duke qenë se Mihasi njihej si një ndër njerëzit e tij më të afërt.
Vrasja e Robert Ramës
Teksa ishte në kërkim për grabitjen e prindërve të Elton Çiçës, dy muaj pas ngjarjes, konkretisht më 9 qershor 2015, ekzekutohet në Durrës, Robert Rama. 31-vjeçari nga Laçi dhe banues në Tiranë, u qëllua për vdekje në një lokal në zonën e ish- Kënetës. Rama, i cili kishte filluar të identifikohej me emrin Ledjon Hyska, u qëllua teksa ishte në shoqërinë e dy personave, të cilët mbetën të plagosur. Dy persona kanë zbritur nga motori dhe pasi nxorën armën nga çanta, e qëlluan për vdekje. Në momentin e ngjarjes, rreth orës 20:00, pranë zonës kanë qenë edhe persona të tjerë, që arritën t’u shpëtojnë plumbave, por pa arritur të identifikojnë autorët. Qytetarët që u gjendën në vendin e ngjarjes, u përpoqën t’u japin ndihmën e parë të plagosurve, duke i transportuar drejt Spitalit të Durrësit, por për 31-vjeçarin Robert Rama, nuk mund të bëhej më asgjë, duke qenë se ishte qëlluar edhe në kokë.
Policia ngriti disa pista për vrasjen, duke i përqendruar hetimet kryesisht tek grabitja, për të cilën ai ishte në kërkim, megjithatë, krimi mbeti pa autor për shumë kohë.
Ndërsa më herët, më 4 maj 2015, një tjetër person që ishte dyshuar për grabitjen e prindërve të Çiçës në Tepelenë, Ervis Imerit, i shpëtoi një atentati me eksploziv në zonën e Kombinatit, në Tiranë. Por në një tjetër atentat, po me eksploziv u krye sërish ndaj tij në Tiranë, më 8 dhjetor të vitit 2015, kur Imeri ndodhej në makinë bashkë me të vëllain, Eltonin, i cili mbeti i gjymtuar nga shpërthimi.
Disa muaj pas kësaj ngjarje, pasi ishte vrarë në Tiranë, Elton Çiça, i plagosuri nga shpërthimi i eksplozivit, Elton Imeri shprehej se as ai, as i vëllai nuk kishin lidhje me vrasjen e Çiçës. Madje, e përjashtonte të vëllain, Ervis Imerin, edhe nga grabitja e prindërve të Elton Çiçës në Tepelenë, duke deklaruar se ai ka transportuar autorët, por pa e ditur se çfarë kishin bërë. Ndërsa dëshmonte se Ervisi kishte marrë kërcënime nga këta persona që të mos tregonte identitetin e 2 prej tyre, të cilin në fakt ai nuk i dinte sepse ata mbanin maska.
Dy atentatet ndaj Jani Alisë
Një atentat që Elton Çiça dyshohej se kishte organizuar me qëllim vrasjen e Jani Alisë, dështoi më 10 janar të vitit 2016, pranë një qendre tregtare, te Rruga e Kavajës në Tiranë. Një kalimtar i rastit u plagos lehtë në ballë nga ciflat e xhamave që u thyen nga plumbat, megjithatë objektivi i ngjarjes, që më vonë u mësua se ishte Jali Alia, arriti të shpëtojë dhe u largua. Po kështu u larguan edhe atentatorët, duke lënë pas vetëm gëzhojat e armës që, sipas dëshmitarëve u shkrep 7-8 herë. Kur Policia mbërriti në vendin e ngjarjes nuk gjeti as autorët, as të dëmtuarit, përveç 5 gëzhojave të një arme që dyshohet të ketë qenë pistoletë tip “TT” dhe disa xhamave të thyer të një lokali, ku po hynte personi që dyshohet se ishte objektiv i atentatit. Burime nga Policia e Tiranës thanë në atë kohë se atentatorët dyshohet se kishin qenë në lëvizje me një automjet tip “Benz 190” dhe kishin qëlluar në ecje. Shërbimet e Komisariatit nr.2 dhe ato të Policisë Rrugore të Tiranës, u vunë në ndjekje të automjeti, i cili nga verifikimet rezultoi në pronësi të një personi që banon në periferi të Durrësit.
Pak muaj më pas, më 25 prill të vitit 2016, Elton Çiça u dyshua për një tjetër atentat ndaj Jani Alisë, kësaj here në Gjirokastër. Alia u plagos lehtë në njërën dorë, por nuk pranoi të denoncojë ngjarjen. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:30, në kohën kur Jani Alia po lëvizte me makinën e mikut të tij, në afërsi të vendit të quajtur Ura e Lumit. Policia nisi hetimet për ngjarjen, duke pasur si të dyshuar Elton Çiçën, por pa arritur ta provojë autorësinë e tij.
Ekzekutimi i Elton Çiçës
Pas këtyre dy atentateve të dështuara ndaj tij, ishte radha e Jali Alisë që të vepronte, i bindur se gjithçka ishte organizuar nga Elton Çiça. Më 1 maj të vitit 2016 ai arrin të ekzekutojë armikun e tij, në një lokal pranë stadiumit Dinamo në Tiranë. 36-vjeçari nga Tepelena, Elton Çiça, u qëllua me dy plumba pistolete, teksa ndodhej në një tavoli me 3 persona të tjerë. Në pamjet filmike shquhej qartësisht autori, ndonëse jo fytyra e tij, edhe pse fshihej vetëm nga një kapele. Nga regjistrimet e kamerave, shihet që ora ishte 22:15 minuta, para se vrasësi të futej në lokal. Në atë moment, në bar “De Niro”, fokusohen 5 persona nga kamerat. Një person që qëndron në këmbë pranë derës, tek banaku, dhe pak hapa më brendësi të lokalit, në një tavolinë janë të ulur 4 persona. Në pamje ballore shquhet viktima, Elton Çiça, që është me kokën ulur duke shkruar diçka në celular. Në atë kënd të lokalit, nuk shquhet asnjë person tjetër, pasi tavolinat e tjera janë bosh. Ndërsa në aneksin e lokalit, që nuk është i fokusuar nga kamera, ndodhen klientë të tjerë. Aty futet një person i veshur sportiv dhe me një kapele të bardhë në kokë, që fillimisht duket si klient që ishte drejtuar për t’u ulur në ndonjë prej tavolinave. Por në fakt ai me hapa të shpejtuar drejtohet tek tavolina ku ndodhej viktima. Sapo afrohet aty, ai i drejtohet me emër viktimës dhe për më pak se 2 sekonda nxjerr pistoletën, e qëllon dy herë dhe largohet për të dalë nga lokali. Autori kthehet një fragment sekonde, shikon drejt tavolinës dhe më pas “zhduket”, nga dera e jashtme e lokalit.
Tri javë pas vrasjes së Elton Çiçës në lokalin “De Niro”, Policia e Tiranës arriti të dokumentojë ngjarjen, të identifikojë dhe të shpallë në kërkim dy autorët e dyshuar. Ata ishin Jani Alia, i dyshuar si personi që kreu ekzekutimin dhe Renato Milloshi, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasje. Drejtori i Policisë së Tiranës, që në atë kohë ishte Ervin Hodaj, nëpërmjet një konference për shtyp tha se autorët ishin shpallur në kërkim.
Ervin Hodaj
Strukturat e Drejtorisë së Policisë Tiranë në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme dhe Prokurorinë e Tiranës, pas një pune intensive në aspektin gjurmues dhe proceduriale kanë bërë të mundur zbulimin, dokumentimin dhe identifikimin e autorëve të ngjarjes së ndodhur në lokalin “De Niro” më datë 1 maj 2016, ku mbeti i vrarë pas një atentati shtetasi Elton Çiça, person i njohur si me precedentë kriminalë. Për dy të dyshuarit, Jani Alia dhe Renato Milloshi, Gjykata e Tiranës ka vendosur dje (23 maj 2016) masën e sigurisë “arrest me burg”, me akuzën e vrasjes së kryer në bashkëpunim. Ndërsa momentalisht ata janë shpallur në kërkim policor, të konsideruar si persona me rrezikshmëri të lartë kriminale.
Sipas Hodajt, gjatë hetimeve intensive për zbulimin e kësaj ngjarje të rëndë ishin mbledhur një sërë provash të vlefshme, të cilat kanë ndihmuar në zbulimin e dokumentimin ligjor të vrasjes. Burimet saktësuan në atë kohë se personi që ka shkrepur armën, duke lënë të vdekur Elton Çiçën, ishte Jani Alia. Ndërsa shoku i tij, Renato Milloshi, ishte personi që i kishte krijuar kushtet për të kryer krimin, duke e lëvizur me makinë, para dhe pas vrasjes. Emrat e këtyre dy personave, si autorë të mundshëm të ngjarjes, dolën në skenë më pak se 48 orë pas vrasjes. Megjithatë përgjatë kësaj kohë, oficerët e Krimeve të Rënda të Policisë së Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë kryen hetime intensive duke mbledhur prova të mjaftueshme. Prova që bindën edhe Gjykatën për të vendosur masat e sigurisë “arrest me burg”, në mungesë.
Këqyrja e kamerave të lokalit ku ndodhi vrasja ndihmuan oficerët e grupit hetimor për zbardhjen e mekanizmit të ngjarjes por edhe identifikimin e autorëve. Një nga kamerat kishte fiksuar momentin kur autori, Jani Alia, i kamufluar me paruke të zeza e kapele të bardhë, ka zbritur nga një makinë tip “Ford Focus”, ngjyrë e zezë, me targë AA 56 NX. Makina ka ardhur nga Stadiumi “Selman Stermasi” dhe ka ndaluar para lokalit. Nga sedilja e pasme e mjetit ka zbritur atentatori, i cili i është drejtuar lokalit. Ndërsa mjeti ka lëvizur në drejtim të Unazës. Gjithashtu në pamje duket edhe momenti kur autori del nga lokali, pasi kishte kryer vrasjen dhe lëviz në këmbë në drejtim të shkollës “11 Janari”, më pas “zhduket”, në rrugicat mes bllokut të pallateve pranë Urgjencës së Tiranës. Aty e ka pritur e njëjta makinë, që sipas Policisë drejtohej nga Renato Milloshi. Nga verifikimet e kryera menjëherë pas këqyrjes së kamerave, ka rezultuar që ky automjet rezultonte në pronësi të Milloshit dhe ishte blerë nga ai dy ditë para vrasjes.
Ndërkohë, Policia kishte të dhëna, se i përfshirë në vrasjen e Çiçës, ishte edhe Nelgert Pata, i cili ishte miku i Jani Alisë, i cili nuk u arrit asnjëherë të shoqërohej, qoftë edhe për t’u marrë në pyetje.
Më qëllim arrestimin e dy autorëve të dyshuar, Policia dhe forcat speciale RENEA zhvilluan disa operacione, kryesisht në zonën e Tepelenes dhe Gjirokastrës, por rezultuan pa sukses. Ndërsa pak kohë më vonë, konkretisht në shkurt të vitit 2017, Renato Milloshi u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës. Mohoi të kishte marrë pjesë në vrasje, madje edhe të kishte pasur dijeni për kryerjen e saj. Ai pranoi që e kishte transportuar me makinë Jani Alinë deri tek lokali ku ndodhi vrasja, por nuk e dinte arsyen se përse kishte shkuar aty. Madje ka deklaruar se e ka mësuar më vonë se çfarë kishte ndodhur.
Në gusht të vitit 2017, Gjykata e Tiranës e dënoi atë me 8 muaj burg, vetëm për akuzën e moskallëzimit të krimit. Ndërsa gjyqi për Jani Alinë vijoi deri në maj të vitit 2018, kur u dha dhe vendimi me burgim të përjetshëm në mungesë te tij. Në dosjen e Prokurorisë thuhej se ishte zbardhur tërësisht ngjarja, madje disa nga provat e krimit ishin gjetur në një automjet tip “BMË X6” që përdorte Jani Alia dhe në shtëpinë me qira të të dashurës së tij në Tiranë. Por Alia vijoi arratinë duke iu shmangur përballjes me drejtësinë, deri më datë 31 dhjetor 2024, kur u arrestua Athinë.
Policia e Shtetit
Operacion i përbashkët ndërkombëtar për kapjen e të kërkuarve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Finalizohet operacioni i koduar “IN TIME” në bashkëpunim me Policinë greke. Në Athinë kapet dhe vihet në pranga i shumëkërkuari Jani Alia, 48 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm. Departamenti i Policisë Kriminale, pas punës gjurmuese dhe sigurimit të informacionit, identifikoi vendndodhjen e Jani Alisë, i cili fshihej në Athinë. Falë bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve greke, Policia greke finalizoi operacionin “IN TIME”, duke arrestuar këtë shtetas. Interpol Tirana, në koordinim me Interpol Athinën, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Arrestimi i tij, u komunikua zyrtarisht edhe nga Policia greke, duke shpjeguar se ai ishte ndaluar në rrugë për kontroll pas lëvizjeve të dyshimta. Nga kontrolli rutinë, u konstatua se Alia përdorte identitet të rremë duke u identifikuar si Aleksan Kreshnik, i datëlindjes 1976. Pasi u shoqërua për në komisariat, u verifikua se Jani Alia ishte i arratisur nga burgu i Greqisë në 1 qershor të vitit 2015, si dhe rezultonte i kërkuar nga shteti shqiptar për vrasje dhe i dënuar me burgim të përjetshëm.
Policia greke
Arrestohet në orët e mëngjesit të datës 31 dhjetor 2024, nga punonjësit e policisë së Ekipit të Veprimit të Menjëhershëm, një i huaj 48-vjeçar, i arratisur nga qendra e paraburgimit në vendin tonë dhe procedohet penalisht me dy njoftime të kuqe për vrasje, ndërsa ndaj tij është ngritur një dosje nga Departamenti i Prokurorisë dhe Hetimit të Krimeve në Muskat për falsifikim. Në mënyrë të veçantë, punonjësit e policisë, në kuadër të patrullës së tyre, kanë identifikuar 48-vjeçarin, lëvizjen e të cilit e kanë cilësuar të dyshimtë dhe e kanë thirrur për kontroll. Pas kontrollimit të të dhënave të tij në një bazë të dhënash, në një pajisje të mbajtur nga patrullat, u konstatua se ai posedonte një kartë identiteti false dhe u transferua në Departamentin e Prokurorisë dhe Hetimit të Krimit në Muskat, e cila u vendos në procedurë paraprake hetimi. Në kuadër të hetimeve të mëtejshme nga Shërbimi i mësipërm, rezultoi se ai është i arratisur nga burgjet e vendit , ku vuante dënimin me burgim të përjetshëm dhe 2 vjet për vrasje të bashkatdhetarit të tij nga pakujdesia, lëndim i rrezikshëm trupor dhe shkelje e legjislacionit për armët, që ishte kryer në vitin 2006 në rajonet e Atikës Perëndimore. Gjithashtu, siç rezultoi, ai është i proceduar penalisht ndërkombëtarisht me 2 njoftime të kuqe për vrasje të kryera në tetor 2015 dhe maj 2016 në Shqipëri.
Pra siç rezulton edhe nga njoftimi i Policisë greke, Jani Aliaj ka edhe 2 vite burgim për të vuajtur në shtetin helen, për vrasjen e parë që ka kryer atje në vitin 2006. Vrasje e një bashkatdhetarit të tij, që drejtësia greke e ka cilësuar si vrasje nga pakujdesia.
Ekzekutohet Nelgert Pata
Nelgert Pata, 34 vjeç, mik i Jani Alisë, i cili kishte qenë i dyshuar për vrasjen e Elton Çiçës, ekzekutohet në Fier më 20 nëntor të vitit 2016. Atentati për eliminimin e të riut nga Memaliaj, dyshohej se po organizohej prej të paktën një muaji. Edhe 3 ditë para se të ndodhte ngjarja në Fier, Pata ishte ndjekur nga autorët e dyshuar në Tiranë. Autorët e vrasjes duket se po studionin çdo lëvizje të tij, në mënyrë që të mos gabonin si radhën e parë, kur edhe pse u përdor një arme me preçizion të lartë, ai arriti të shpëtojë vetëm me një gërvishtje në vesh. Pista kryesore e ngritur nga grupi hetimor, ishte ajo e hakmarrjes, për shkak të konflikteve të vazhdueshme mes dy grupeve nga Tepelena, të Elton Çiçës dhe Jani Alisë.
Tri ditë para se të ekzekutohej në Fier, 34-vjeçari Nelgert Pata i kishte shpëtuar një tjetër atentati, në Tiranë. Madje në të njëjtin lokal, tek pallatet “Delijorgji”, ku u plagos me snajper pasditen e 21 gushtit të vitit 2016. Kjo dyshohet se ka qenë arsyeja pse ai ishte larguar nga kryeqyteti për t’u strehuar në Fier, ku ka qëndruar në një hotel. Sipas burimeve, më 17 nëntor, ai kishte parë disa persona të dyshimtë, teksa po qëndronte në një lokal në Rrugën e Kavajës, pikërisht në vendin ku u plagos 3 muaj më parë. Duke dyshuar se këtë persona kishin si qëllim vrasjen e tij, Pata, edhe pse ishte në kërkim nuk ka ngurruar t’i telefonojë Policisë. Në vendngjarje kanë shkuar brenda pak minutash shërbimet e Komisariatit nr.2, të cilët kanë nxituar edhe për faktin se Pata ishte një person që ata po e kërkonin prej 3 muajsh. Megjithatë kur kanë mbërritur në adresën e dhënë nga 34-vjeçari, ai ishte “zhdukur” e bashkë me të edhe të dyshuarit. Të njëjtën skemë ai e kishte përdorur edhe para tri javësh në Fier, kur serish kishte parë persona të dyshimtë që e ndiqnin dhe i kishte telefonuar Policisë. Por edhe në këtë rast shërbimet e rendit nuk kishin arritur të konstatonin asgjë.
I vetëdijshëm se ishte i rrezikuar dhe ndiqej për t’u vrarë, Nelgert Pata përdorte vazhdimisht një makinë të blinduar, me xhama të errët, megjithëse ditën kur u vra në Fier, e kishte lënë të parkuar në hotelin ku po qëndronte. Policia tha se makina u gjet në parkingun e hotelit. Bëhej fjalë për një automjet tip “Benz S-Class”, me targa të denoncuara të vjedhura që i përkasin një automjeti tip “Volksëagen”, në pronësi të një shtetasi në Vlorë. Brenda automjetit që rezulton se i përket viktimës (pasi çelësi ndodhej në çantën personale të tij), gjendeshin dy automatikë model 56, kalibër 7.62 mm, si dhe një shishe benzinë 1.5 litërshe. Me të njëjtën makinë, por me targa ruse, të cilat tashmë ia i kishte ndryshuar, Pata kishte ardhur nga Gjirokastra në Tiranë, ditën që iu bë atentat tek pallatet “Delijorgji”, më 21 gusht 2016.
Në kohën kur i shpëtoi këtij atentati, Nelgert Pata nuk kishte shumë kohë që ishte liruar nga burgu. Ai kishte pasur edhe më parë probleme të mëparshme me drejtësinë. Nelgert Pata dhe i ati, Astrit Pata, ishin dënuar në vitin 2009 nga Gjykata e Lartë me nga 8 vjet burg secili dhe me nga 3 milionë lekë gjobë, por e kishin përfunduar dënimin. Ata u gjykuan fillimisht nga Gjykata e Krimeve të rënda, për trafikimin e dy vajzave me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion në Norvegji.
Në atentatin që u vra Nelgert Pata, mbeti i plagosur edhe miku i tij, Ari Alinani, i cili ishte në drejtim të automjetit. 38 –vjeçari nga Delvina ka deklaruar se Patën e njihte vetëm prej 3 ditësh, në kohën kur ai ishte zhvendosur nga Tirana në Fier. Por hetimet zbuluan se makinën tip Volksëagen, Alinanit ia kishte dhuruar pikërisht viktima, Nelgert Pata. Por kjo nuk ishte prova e vetme kundër tij, pasi edhe tabulatet telefonike vërtetuar se Pata dhe Alinani kishin pasur komunikime të vazhdueshme. Por i plagosuri nuk ka pranuar të japë të dhëna që mund të konsideroheshin të vlefshme për hetimet dhe u arrestua me akuzën e veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës.
Ari Alinani konsiderohej si personi kyç që mund të hidhte dritë mbi vrasjen e Nelgert Patës, por edhe atentateve të mëparshme mes grupeve rivale të Tepelenës. Ai madje dyshohej se mund të ishte edhe autor i plagosjes me 3 plumba të Andi Mustafarajt në gusht të vitit 2016, në një lokal pranë ish-ekspozitës në Tiranë. Mustafaraj ishte një nga miqtë e Elton Çiçës. Nisur nga ngjashmëria fizike e autorit të filmuar nga një kamera sigurie, Policia e Tiranës dyshonte se i dyshuari për plagosjen e Mustafarajt ishte Ari Alinani, megjithëse ai vetë mohoi vazhdimisht përfshirjen në atë ngjarje. Por, në një kohë që të gjitha ngjarjet e rënda kriminale mes dy grupeve kanë ndodhur në Tepelenë, Fier e Tiranë, ngjarjet i kaluan Prokurorisë për Krime të Rënda me akuzat e grupit të strukturuar kriminal, vrasjes, e armëmbajtjes pa leje.
Edhe pse kishte më shumë se një vit që ishte vrarë në Tiranë, hakmarrja ndaj Elton Çiçës ka vijuar edhe më 17 nëntor të vitit 2017, kur shtëpia e tij në Tepelenë u sulmua me armë. Së paku tre persona të paidentifikuar qëlluan drejt banesës së tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 3:20 minuta të mëngjesit, kur babai i Elton Çiçës, Naim Çiça, dëgjoi zhurmë në oborrin e shtëpisë dhe ka njoftuar Policinë. Në kohën kur autorët konstatuan se ishin diktuar nga pronari i shtëpisë, qëlluan me armë. Nuk u përcaktua me saktësi asnjëherë nëse personat e dyshuar kishin si qëllim grabitjen, ashtu siç kishte ndodhur edhe më parë, apo po kërcënonin familjen e Çiçës.
E duket se kjo ngjarje ishte e fundit në hallkën e zinxhirit të hakmarrjes mes grupeve rivale të Tepelenës. Në kohën kur dy prej eksponentëve kryesore të këtyre grupeve, Elton Çiça dhe Nelgert Pata, nuk jetojnë më, i vetmi që mund të përgjigjet tashmë para drejtësisë është Jani Alia.
Plagosja për grabitjen e kanabisit në Përmet
Por përveç dënimit me burgim të përjetshëm për vrasjen e Elton Çiçës, për Jani Alinë tashmë ka nisur edhe një tjetër proces në mungesë në Gjykatën e Posaçme. Alia do të përballet në Shqipëri edhe me një tjetër proces ku është i dyshuar për vrasje në tentativë dhe trafik droge. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur 10 vite më parë në fshatin Frashër të Përmetit, ku gjatë një tentative për grabitjen e 100 kilogramëve kanabis, mbeti i plagosur një person dhe që drejtësia në Shqipëri e konsideron atë të kryer nga një grup kriminal. Çështja u hetua nga Prokuroria e Përmetit që mori të pandehur disa persona mes të cilëve edhe Jani Alianë, si personi që kishte porositur sasinë e lëndës narkotike për ta blerë dhe më pas organizuar grabitjen e saj. Por Apeli i Përgjithshëm në Tiranë që mori në shqyrtim këtë dosje nga Gjykata e Përmetit, vendosi rigjykimin e saj dhe dërgimin në Gjykatën e Posaçme për shkak të kompetencës që kjo e fundit ka për gjykimin e grupeve kriminale.
Sipas vendimit të Gjykatës së Përmetit, rezulton se shtetasi Enea Koçia, në datë 5 tetor 2015 pasi ka komunikuar me Altin Merdanin ka marrë automjetin e tij dhe fillimisht ka shkuar në një karburant në Gjirokastër ku është takuar me Stefan Gjokën, në orët e vona të natës. Pasi janë organizuar me tri automjete, bashkë me Jani Alinë dhe Mario Ndreun, i cili njihet edhe me emrin Arsen, janë armatosur me arme luftarake, janë nisur në drejtim të fshatit Frashër të Përmetit, me qëllim për të grabitur një sasi prej 100 kg lënde narkotike. Kjo sasi droge po sillej nga fshati Nikollarë i Skraparit, nga vëllezërit Ilirjan, Fatri dhe Gazmor Ibro. Këta të fundit ishin organizuar nën drejtimin dhe organizimin e Altin Merdanit. Por nga ana tjetër ai kishte përgatitur grabitjen e 100 kg kanabis bashkë me Enea Koçinë, Mario Ndreun, Stefan Gjokën, Jani Alinë dhe Roland Patën, që janë nisur nga Gjirokastra ditën e ngjarjes. Konkretisht ata do të shkonin drejt fshatit Frashër, në vendin e quajtur “Hangari i Gostomickës”. Jani Alia, bashkë me 4 personat e tjerë kanë dalë jashtë automjeteve të armatosur dhe kane pritur palën tjetër që do të sillnin lëndën narkotike. Rezulton se në fshatin Vreçisht do të bëhej shkëmbimi i lëndës narkotike kundrejt 1000 euro për kilogram dhe do të blihej nga të njohurit e Altin Merdanit. Pas një udhëtimi për rreth 1 orë, në këmbë, rreth orës 3 ose 4 të mëgjesit, në vendin ku i prisnin Enea Koçia e të tjetër, kanë mbërritur vëllezërit Ilirjan dhe Fatri Fatri Ibro, në një lëndinë te “Hangari Gostimickës”, fshati Vreçisht.
Në këtë vend, i prisnin grupi tjetër, ku ishte edhe Jani Alia, të cilët për të shkuar në vendin e ngjarjes, kanë përdorur 5 automjetet e dhëna nga Elton Abazaj dhe Eeduart Sallaku. Në momentin që janë afruar pesë personat që po transportonin lëndën narkotike me mushka, u është bërë thirrje që të ndalojnë në një largësi 5-10 metra nga dy automjetet, në të cilat ishin pesë persona, të armatosur me armë luftarake. Stefan Gjoka kishte një automatik, Jani Alia një pistoletë, Enea Koçia një automatik dhe Mario Ndreu po ashtu një automatik. Ata kanë hapur zjarr me tri armë të ndryshme, dy automatik dhe një pistoletë në drejtim të Gazmor Ibros dhe një nga gëzhojat e armës së llojit automatik ka rënë në sediljen e pasme të automjetit që drejtohej nga Enea Koçia dhe bashkë me të ndodhej dhe Stefan Gjoka e Mario Ndreu. Ndërsa një nga predhat ka goditur Gazmor Ibron në shpinë duke rrezikuar seriozisht jetën e tij.
Më pas, autorët kanë marrë gjithë lëndën narkotike dhe e kanë ngarkuar në një prej automjeteve të tyre dhe janë larguar. Por kjo makinë, për shkak të defektit shkaktuar si pasojë e terrenit të vështirë, nuk ka mundur të lëvizë. Pasi janë larguar të pestë me dy automjetet e tjera, janë kthyer pas rreth 10 minutash, me një tjetër makinë dhe kanë lidhur me kavo makinën që kishte të ngarkuar kanabisin. Në këto momente ata janë afruar pranë të plagosurit Gazmor Ibro dhe pas tyre janë afruar edhe dy vëllezërit e tij e dy persona të tjerë, banorë të fshatit Vreçisht, që po i vinin në ndihmë të plagosurit. Në këtë moment, ata kanë marrë të plagosurit dhe janë larguar. Por edhe njëra nga makinat e tyre ka pësuar defekt, duke u çarë edhe gomat, e për pasojë nuk kanë arritur të kalojnë përroin e fshatit Frashër. Në këtë moment, Altin Merdani, Jani Alia dhe Pajtim Shyti, kanë shkuar për të kërkuar ndihmë në fshatin Frashër, për automjet me qëllim për të transportuar Gazmor Ibron. Pasi kanë gjetur një automjet fuoristradë, pronë e një personi që ndodhej në fshat, kanë hipur të tre dhe kanë zbritur poshtë. Automjeti ka marrë të plagosurin dhe bashkë me të kanë hipur dhe vëllai i tij dhe Altin Merdani. Ndërsa personat e tjerë, bashkë me Jani Alinë, pasi kanë hequr lëndën narkotike nga 2 automjetet e tyre e kanë fshehur në një largësi afro 80 metra nga vendi ku kishin mbetur në përrua.
Ndërsa Roland Pata, bashkë me një nga të dyshuarit kanë mundur të kalojnë me automjetin e tyre përroin, por duke dëmtuar plotësisht katër gomat. Ashtu kanë udhëtuar deri në afërsi të fshatit Pagri, ku dhe Roland Pata është arrestuar në flagrancë, ndërsa personi thetër që ndodhej me të, Stefan Gjoka, ka mundur të dalë nga sedilja e parë e pasagjerit dhe u ka ikur me vrap forcave të Policisë.
Fatri Ibro dhe Gazor Ibro kanë hipur në helikopterin e ardhur për të ndihmuar të plagosurit dhe janë larguar për në Spitalin e Traumës, në Tiranë, ku është kryer ndalimi i të plagosurit Gazmor Ibro. Ndërsa për të vëllain, Ilirjan Ibro nuk është bërë i mundur ndalimi, pasi menjëherë sapo ka dërguar Gazmorin në spital është larguar. Nga ana tjetër, Altin Merdani, ka qëndruar në fshatin Frashër dhe është arrestuar në flagrancë në datë 6 tetor 2015. Pajtim Shyti, bashkë me të dyshuarit e tjetër, Jani Alia, Mario Ndreu dhe Enea Koçia, kanë qëndruar të fshehur, në një largësi të sigurt, në vendin ku kanë ngecur dy automjetet duke parë dhe vëzhguar veprimet e Policisë. Madje Pajtim Shyti, ka mbajtur në kontakt dhe ka biseduar me personat e tjerë për gjithë lëvizjet që bënin shërbimet e Policisë në vendngjarje. Më pas, Shyti është larguar nga vendi ngjarjes drejt fshatrave të Skraparit, duke i kthyer dhe telefonin një dëshmitari, të cilin ia kishin marrë në orët e para të mëngjesit me qëllim për të mos njoftuar Policinë. Ndërsa Jani Alia dhe dy persona e tjerë largohen në drejtim të paditur nga vendi i ngjarjes.
Gjykata e Përmetit, ka konkluduar se Jani Alia ka konsumuar plotësisht elementet e veprës penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ndërsa sipas Gjykatës është i pafajshëm për veprën penale “Vrasje me dashje në lidhje me nje krim tjetër” në bashkëpunim, mbetur në tentativë. Në përfundim ai është dënuar me 15 vite burgim. Ndërsa të bashkëpandehurin Mario Ndreu, Gjykata e Përmetit e ka cilësuar të pafajshëm, me arsyetimin se bazuar në provat e organit të akuzës nuk krijohet bindja se ai së paku ka qenë në vendngjarje dhe se ka kryer veprat për të cilat akuzohet.
Por vendimi është ankimuar nga Prokuroria, që ka kundërshtuar vendimin për Jani Alinë, duke kërkuar deklarimin e tij fajtor edhe për vrasje të mbetur në tentativë. Gjykata e Apelit, duke shqyrtuar në themel faktet që i atribuohen të pandehurve Jani Alia e Mario Ndreu, ne raport me aktin e njoftimit të akuzës dhe kërkesës për dërgimin e çështjes në gjyq të prokurorit, vlerësoi se:
Gjykata e Apelit
Në rastin konkret, faktet penale që i atribuohen të pandehurve janë kryer jo rastësisht apo në bazë të një marrëveshje bashkëpunimi të atëçastshëm. Në analizë të fakteve, rrethanave dhe provave të marra e të verifikuara në këtë gjykim, kolegji i gjykatës së apelit, arriti në një konkluzion të ndryshëm në lidhje me formën bashkëpunimit, duke çmuar se të bashkëpandehurit në këtë procedim penal, kanë bashkëvepruar mes tyre, në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Duke parashtruar edhe shumë rrethana dhe fakte të tjera, më 17 shtator të vitit 2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm vendosi prishjen e vendimit të datës 7 nëntor 2022 të Gjykatës së Përmet dhe dërgimin e çështjes në gjykatën kompetente nga pikëpamja lëndore, pra në Gjykatën e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Tashmë hetimet janë mbyllur dhe çështja ka kaluar në gjykim, ku seanca e parë zhvillohet gjatë muajit prill.
Pra, duket se Jani Alia, përveç burgut përjetë për vrasjen e Elton Çiçës, për të cilën ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, do të përballet edhe me akuza të tjera. Megjithatë, fillimisht duhet të mbyllë hesapet me drejtësinë greke, ku ka për të vuajtur edhe 2 vite burgim.
Siç rezulton nga ky vendim, identifikimi i Jani Alisë si autor i ngjarjes së 5 tetorit 2015 ka marrë shumë kohë. Nëse do ishte vepruar shpejt e ai të ishte arrestuar, me gjasë shumë krime që pasuan atë ngjarje mund të mos kishin ndodhur.
Prej vitit 2016, ndonëse ai ka jetuar në arrati deri ditën kur u arrestua në Athinë, më 31 dhjetor 2024, nuk pati më përplasje mes dy grupeve të Tepelenës. Kjo edhe për arsye se dy prej tyre nuk jetojnë më. Ndërsa Jani Alia, i transformuar thuajse tërësisht në pamje, vijoi aktivitetin e tij jashtë Shqipërisë, duke iu shmangur drejtësisë për 9 vjet. Ekstradimi i tij duket se është një ndër objektivat kryesorë të drejtësisë shqiptarë kohët e fundit. Kjo edhe për arsye që në jo pak raste, me manovra nga më të ndryshmet, shumë personazhe të rrezikshme, kanë arritur të bindin Gjykatat greke që të vendosin në favor të tyre. Edhe Jani Alia tentativën e parë e ka bërë. Por nëse edhe ai, do arrijë të shmangë burgun në Shqipëri, si shumë të tjerë, kjo tashmë mbetet në dorën e drejtësisë.