Reshjet e shiut dhe era kanë bërë që spitali i Pukës të jetë jashtë funksionit. Si shkak i erërave të forta dy ditë më parë, mbulesa e këtij spitali u dëmtua e për pasojë dolën jashtë funksionit dy reparte, ai i Patologjisë dhe i Pediatrisë. Ndërsa, këtë të premte reparti i Kirurgjisë doli jashtë shërbimit.
Nga sa mësohet nuk ka pasur pacient të shtruar. Ndërsa, aktualisht në këtë spital në funksion është urgjenca, si dhe shërbimi ambulator.
Erërat e forta dhe shiu kanë krijuar probleme në riparimin e çatisë së spitalit të Pukës e për pasojë ka dal jashtë funksionit edhe reparti i Kirurgjisë. Tashmë, gjithë pacientët e këtij spitali që shfaqin nevoja për ndërhyrje kirurgjikale do sillen në Shkodër. Nga burime pranë spitalit të Pukës gjatë 48 orëve të fundit nuk ka pasur pacient tek të cilët është kërkuar ndërhyrja kirurgjikale.
Nga situata e mësipërme lindin disa pyetje:
A ka përgjegjësi Ministria e Shëndetësisë për mos marrjen e masave për investimet në përmirësimin e infrastrukturës për Spitalin Bashkiak Pukë?
Nëse i referohemi ligjit nr. 55/2022 “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, neni 5, pika 1, shkronja “ë”, kuptohet qartë që ka përgjegjësi dhe normalisht përgjegjësia direkte bie mbi Ministren Albana Koçiu, e cila, dukshëm nuk e ka aspak prioritet, investimin në infrastrukturën e spitaleve bashkiake, për më tepër në spitalet që janë në zona të largëta dhe që çdo vit, për shkak të kushteve atmosferike, vuajnë nga mungesa e energjisë elektrike, bllokimin e rrugëve etj, duke e vështirësuar shumë funksionimin normal.
Pra si mund të shkojë deri në Shkodër, një pacient, i cili ka nevojë për një ndërhyrje të shpejtë kirurgjikale? Duke konsideruar rreshjet e dendura, erërat e forta që kanë ndodhur ditën e sotme dhe që parashikohen të ndodhin edhe në ditët në vijim, udhëtimi për Spitalin Rajonal të Shkodrës, praktikisht është i vështirë, duke rrezikuar dhe përkeqësuar shëndetin e pacientit.
Po për një grua shtatzënë e cila nga një lindje në kushte normale dhe pa rrezik, papritur mund të ndryshojë niveli i riskut dhe i duhet të kryejë operacion, si do veprohej? Në këto kushte, mund të rrezikohej edhe lindja duke sjellë fatalitet.
Në kushte normale për të shkuar nga Puka në Shkodër duhen 1 orë e 30 minuta. Po në kushte të përkeqësuara atmosferike?
Patjetër që duhet edhe më tepër.
Po për banorët e Fushë Arrezit, të cilët, për të shkuar në Spitalin e Pukës, duan rreth 30-60 minuta, si do të ndikojë mosfunksionimi i Spitalit të Pukës? Padyshim që do të jetë akoma edhe më e vështirë deri në e pamundur që të përfitojnë shërbimin shëndetësor sa më shpejtë të jetë e mundur.
Nga verifikimi në faqen ‘Open procurement’, rezulton se të paktën për dy vitet e fundit, Spitali Pukë nuk ka kryer asnjë investim në infrastrukturë.
Situata e mësipërme tregon për papërgjshmëri dhe mosfunksionim të institucioneve publike.
Edhe pak afron viti 2025 dhe është për të ardhur keq që rreth 30 mijë banorë, pas kaq shumë vitesh, të përballen përsëri me mungesën e ofrimit të shpejtë dhe cilësor, të shërbimit spitalor.