“Kritere diskriminuese dhe përjashtuese që favorizojnë operatorë të caktuar”, ky është thelbi i denoncimeve të kompanive që marrin pjesë në tenderin e Kuvendit të Shqipërisë për vendosjen e AI. Kështu, për të tretën herë rresht, pezullohet tenderi për vendosjen e Inteligjencës Artificiale në sallën e Kuvendit. Këtë radhë janë ankesat e operatorëve ekonomik në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP) që automatikisht pezullojë procedurën deri në shqyrtimin e tyre.
Tenderi me fondin limit 74,478,400 lekë pa TVSH, i autorizuar nga kryetarja Elisa Spiropali ka për objekt “Blerjen e sistemit të transkriptimit të të dhënave audio- video të Kuvendit, bazuar në Inteligjencën Artificiale dhe shërbim mirëmbajtje për 48 muaj”.
Tenderi i cili u shpall në janar 2025 është ankimuar këto ditë nga dy kompani konkurruese. Njëra prej tyre është “DATA Log” shpk, e cila kërkon ndryshimin e kritereve dhe kushteve të tenderit.

Komisioni i Spiropalit vendos një standard afrikan për konkurrentët
Tenderi për vendosjen e Inteligjencës Artificiale është qepur për ta fituar një kompani e paracaktuar. Vendosja e kritereve të paarritshme dhe të çuditshme e bëjnë përjashtuese procedurën.
Kështu, kërkohet të paktën 1 zhvillues i certifikuar për standardin “Akoma Ntoso”. “Përcaktimi i një kriteri të tillë është jo proporcional me objektin e kontratës, ankohet DATA Log. Kërkesa është tepër kufizuese dhe nuk është në përpjesëtim me nevojat reale të kësaj procedure prokurimi”.
Sipas kompanisë, nuk ekzistojnë certifikime të standardizuara dhe të njohura ndërkombëtarisht për “Akoma Ntoso”. Standardi “Akoma Ntoso” është zhvilluar si një iniciativë e hapur për normativë afrikane, siç mund të konstatohet shumë thjeshtë me një kërkim në Google: Akoma Ntoso (“zemrat e lidhura” në gjuhën akane të Afrikës Perëndimore) përcakton një grup përfaqësimesh elektronike të thjeshta neutrale ndaj teknologjisë në formatin XML të dokumenteve parlamentare, legjislative dhe gjyqësore. Por, nuk ekziston asnjë autoritet ndërkombëtar i akredituar apo ndonjë kompani me reputacion të njohur botërisht që ofron certifikim zyrtar të zhvilluesve për këtë standard.
“Përcaktimi i një kërkese për një ìinstitucion certifikuesî për “Akoma Ntoso” është teknikisht e paqartë dhe lejon hapësirë subjektiviteti apo diskriminimi. Përfshirja e këtij kriteri përjashton padrejtësisht operatorët ekonomik që kanë aftësi reale teknike, por që nuk disponojnë një certifikim formal të pamaterializueshëm (Akoma Ntoso)”, thekson në ankesën e saj kompania “DATA Log”.
“Vendosja e këtij kriteri ka natyrë diskriminuese dhe kufizuese, pasi redukton pa arsye objektive numrin e operatoreve që mund të marrin pjesë”. Po ku e gjeti Spiropali këtë standardin afrikan?! E çuditshme! Çfarë nuk sajohet kur në mes janë pazaret!
Po ashtu në dokumentet e tenderit kërkohen autorizime që nuk ekzistojnë si për shembull nga “Oracle”. “Duke qenë se kompania jonë është partnere zyrtare e kompanisë “Oracle” i bëjmë me dije Kuvendit dhe ju si KPP, që kompania Oracle (dhe për pasojë as distributorë të autorizuar të saj) nuk lëshon autorizime për zhvillues (persona). Pra nuk lëshon Autorizim për stafin e Operatorit Ekonomik. Kompania Oracle lëshon “Autorizim Prodhuesi” për produktet Oracle drejt partnerëve të saj”, njofton “DATA Log”.
Nga ana tjetër, në specifikimet teknike të tenderit mungon plotësisht informacioni mbi pajisjet audio-video ekzistuese. Për më tepër, AK ka refuzuar të japë përgjigje ndaj kërkesës për sqarim të ngarkuar në sistem, lidhur me listën e pajisjeve audio-video ekzistuese.
Në mungesë të këtij informacioni, për operatorët ekonomik të interesuar në këtë procedurë, behet e pamundur pjesëmarrja, duke mos ditur nëse i plotësojnë dot këto kritere, ku specifikisht kërkohen specialist të certifikuar për këto sisteme nga prodhuesit/ distributori i autorizuar.
Kërkesa për certifikim nga një prodhues i panjohur është në thelb diskriminuese dhe favorizon operatorë me akses ekskluziv në informacion nga Kuvendi.
Me sa duket, Elisa Spiropali ka vendosur ta mbarojë pazarin e Inteligjencës Artificiale para ardhjes së deputetëve të rinj në Kuvend.