SPAK zbulon se Vodafone Albania i pagoi 8 mld lekë UNIFI-së. Në aferë shërbyen Info Telecom dhe Marin Gjonaj, fijet i luante Meta dhe Kryemadhi.
SPAK ka zbuluar se Vodafone Albania i ka paguar 8 miliard lekë kompanisë UNIFI të Adrian Shatkut, pas së cilës ishin çifti Meta-Kryemadhi. Pagesat u kryen te kompania UNIFI në Shqipëri dhe Luksemburg për shërbimin e tranzitimit të thirrjeve.
Kërkuan nga Vodafone këtë shërbim, nuk e kishte të gjithë pjesën teknike, por siç zbulon SPAK dhe siç ka dëshmuar Marin Gjonaj, drejtuesit e Vodafone, për t’i shërbyer Metës dhe Kryemadhit i kërkuan atij që të mundësonte pjesën teknike.
Në dëshminë e dhënë para prokurorëve të SPAK, Marin Gjonaj shprehet se, shërbimin e bërë ndaj UNIFI ku Info Telecom ka mundësuar lidhjen teknike mes kompanisë së Adrian Shatkut dhe rrjetit të Vodafone ia ka kërkuar Vodafone. Kjo kërkesë nga Vodafone për Info Telecom ka ardhur pasi drejtuesit e Vodafone janë marrë vesh me Monika Kryemadhin dhe Ilir Metën që të fusin në lojë edhe kompaninë UNIFI ku në fakt ishin interesat e politikanëve.
Në këtë rast, Marin Gjonaj ka shërbyer përmes kompanisë Info Telecom si një lloj “sekseri teknik” duke marrë përfitimin e tij financiar nga kjo marrëdhenie.
Raporti mes Vodafone Albania dhe UNIFI ka qenë mjaft intensiv dhe kompania e Adrian Shatkut, e cila shërbente si mbulim për Metën dhe Kryemadhin ka faturuar te UNIFI rreth 8 miliard lekë përgjatë periudhës 2014-2017.
Një pjesë e mirë e këtyre parave dyshohet se janë pikërisht rryshfeti që Vodafone Albania i ka dhënë çiftit Meta-Kryemadhi për shërbimet që ata i bënin kompanisë këtu përmes Piro Xhixhos në krye të AKEP.
Në disa raste, SPAK ka faktuar takime dhe diskutime për lehtësira të AKEP ndaj Vodafone kundrejt operatorëve të tjera nën ndikimin e Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës. Në një rast, ish-CEO i Vodafone Albania Ditelof Mare ka darkuar në shtëpinë e Metës në ish-Bllok, një darkë e negociuar nga Theodhori Çami pasi kishte njohje me çiftin e politikanëve.
Detaje nga dosja
Nga dokumentacioni i shqyrtuar rezulton se deget e Unifi Communication INC në Shqipëri dhe Luksenburg, në nenshkrimin e marreveshjeve jane perfaqësuar nga Drejtori Ekzekutiv, Adrian Shatku dhe kane deklaruar se llogarite bankare ku Vodafone Al do të kryej pagesat janë me nr. 654**489 në Banken Santander UK dhe nr. 000**4709 ne Banken Santander UK, që te dyja ne monedhen Euro.
Me shkresen nr. 5065/1 Prot, date 12 Prill 2024 janë administruar me CD, faturat per sherbimet e interkoneksionit per periudhen Korrik 2014 – Dhjetor 2017 qe Vodafone Albania ka leshuar ne drejtim te kompanive Unifi Holdings Inc, dega Shqipëri dhe Unifi Communications S.a.r.l.
Nga shqyrtimi i te dhenave te faturuara, rezulton se kompania Vodafone Albania ka faturuar (shitje) kompanise Unifi Holdings Inc., dega Shqiperi si vijon:
Per vitin 2014 ne vleren 30,632,553 leke (me TVSH).
Per vitin 2015 ne vleren 191,275,715.21 leke (me TVSH).
Per vitin 2016 ne vleren 251,205,398.50 leke (me TVSH)
Per vitin 2017 ne vlerën 230,895,096 leke (me TVSH)
Gjithashtu kompania Vodafone Albania ka faturar ne drejtim te kompanise Unifi Communications S.a.r.l. me qender në Luksenburg, si vijon:
• Per vitin 2015 ne vlerën 31,710,602.33 leke (me TVSH)
• Per vitin 2016 ne vleren 49,474,686.33 leke (me TVSH)
• Per vitin 2017 ne vleren 13.502.183.03 leke (me TVSH)
Ne total, kompania Vodafone Albania ka faturuar në drejtim të ketyre dy kompanive shumën 798,696,234 leke me TVSH.
Interkoneksioni është lidhja e dy rrjeteve telefonike, fikse ose celulare, në mënyrë që thirrjet të kalojnë nga një rrjet te tjetri, për shembull, lidh rrjetin e Vodafone Mbretëria e Bashkuar me rrjetin e Vodafone Shqipëri. Këto dy rrjete, duke qenë se nuk kanë lidhje direkte, duhet të kontraktojnë një palë ndërmjetëse, e quajtur operator tranzitues, që të marrë thirrjet nga një rrjet dhe t’i transmetojë te rrjeti tjetër.
Vodafone Shqipëri faturon kompaninë tranzituese për minutat që ka sjellë në rrjetin e saj, ndërsa operatori tranzitues faturon kompaninë telefonike nga ku gjenerohet thirrja për minutat që ka dërguar te Vodafone Albania, por me një çmim më të lartë sesa ai që i faturon Vodafone Shqipëri.
Pra, operatori tranzitues duhet të ketë marrëveshje tranzitimi me dy kompani njëkohësisht.
Marin Gjonaj, një biznesmen kontravers, është i njohur për Policinë e Shtetit, pasi dy vite më parë u shpall në kërkim për ndërtimin e paligjshëm të një laboratori të prodhimit të Bitcoinit në Durrës.