Dosja e “masakrës së Dobraçit” në Shkodër, ku humbën jetën Arlind Bushati, Hamza Lici dhe çifti i bashkëshortëve Bashkim dhe Flutura Basha i ka kaluar për hetim Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Prokuroria e Shkodrës ka dyshime se ngjarja është kryer nga një grup kriminal, vepër që është kompetencë e SPAK-ut.
Si ndodhi ngjarja?
Qyteti i Shkodrës u trondit pasditen e 30 tetorit 2024 nga një masakër në zonën e Dobraçit, që la pas katër të vrarë.
Viktimë e një atentati të mirëorganizuar mbeti: Hamza Lici, vëllai i vogël i të fortit të Shkodrës, Ibrahim Lici dhe Flutura Basha, një qytetare e pafajshme që po udhëtonte me bashkëshortin e saj me motor në momentin kur ndodhi atentati.
Disa orë më vonë humbi jetën në spital dhe Arlind Bushati. Djali Xhemal Bushatit, ish-kandidati i PD për kryebashkiak të qytetit të Shkodrës që po udhëtonte me Hamza Licin në makinën Benz C- Class me targa kroate. Ndërsa 3 ditë më pas ndërroi jetë Bashkim Basha, bashkëshorti i Fatbadhës.
Ka qenë ora 15:50, kur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, atentatorët kanë qëlluar me 2 automatikë në drejtim të Benzit me të cilin po udhëtonin Hamza Lici dhe Arlind Bushati, në dalje të Shkodrës.
Atentatorët me një makinë tjetër i kanë ndjekur duke filluar ti qëllojnë me breshëri automatiku përgjatë 50 metrave në afërsi të rrethrrotullimit të ‘5 heronjve’. Nga të shtënat makina ka humbur kontrollin dhe përplasi motorin ku udhëtonte çifti i bashkëshortëve, duke i marrë jetën Flutura Bashës, 66 vjeçe dhe plagosur rëndë bashkëshortin e saj, Bashkimin. Më pas Benzi përfundoi i përplasur me një mur rrethues.
Deri më tani, policia ka përcaktuar dhe ka arritur të zbuloj se makina tip “Range Rover”, e përdorur në atentat është vjedhur në Durrës disa kohë më parë.