Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka reaguar në lidhje me skandalin me mandarinat me pesticide.
Ministria thotë se mbi 85% e prodhimit është shitur në tregun e brendshëm dhe ndërkombëtar, me rezultate pozitive nga analizat për mbetje të pesticideve.
Nga 924 kamionë të eksportuar, vetëm tre ngarkesa janë konstatuar me probleme. Një prej tyre është kthyer dhe asgjësuar në Shqipëri, ndërsa dy të tjera janë trajtuar në Kroaci. Ministria shkruan gjithashtu se është bërë kallëzim penal për grumbulluesit dhe gjobë e bllokim aktivitetit për ata që rezultuan me shkelje.
Më tej deklarata e ministrisë thekson se inspektimet e vazhdueshme, analiza të rregullta laboratorike dhe ndjekja e gjurmueshmërisë kanë për qëllim të sigurojnë standardet e larta në prodhimin dhe tregtimin e mandarinave dhe produkteve të tjera. Së fundi bëhet edhe një thirrje për konsumatorët dhe fermerët për të raportuar çdo rast të paligjshmërisë për të mbrojtur integritetin e zinxhirit të furnizimit ushqimor.