Drejtori i AKU Tiranë, Fatjon Pasholli është shkarkuar nga detyra dhe në vend të tij është komanduar Alketa Hoxha, e cila ka mbajtur postin e përgjegjëses së sektorit juridik në Drejtorinë e Përgjithshme të AKU. Alketa Hoxha njihet për dallaveret që ka bërë me faljen e gjobave në komisionin e apelimit që ka funksionuar pranë AKU, duke filluar që në kohën e drejtimit të këtij institucioni nga Robert Lili, Bledar Skenderi. Madje si personi që bënte argumentimin juridik të faljes së gjobave dhe hedhjes poshtë të punës së inspektorëve, ka qenë pjesë e komisioneve për faljen e gjobave në vlerat 20 milion deri në 30 milion lekë, ku në raste të caktuara këto gjoba janë lënë në fuqi me vendim gjykate.
Shkarkimi i tij ka ardhur si pasojë e hedhjes në treg të mishit të pulës me salmonelë, por edhe luleshtrydhe me pesticide, ndërsa kreu i AKU, Olsi Komici ka dalë i paprekur teksa vazhdon fushatën me PS i pashqetësuar.
Ndërkohë Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin për 2 vepra penale, shpërdorim detyre për 3 inspektorë të AKU që lejuan daljen në treg të filetove të kontaminuara, dhe për importim të ushqimeve të rrezikshme për shëndetin, akuzë për të cilën policia shpalli në kërkim, Arben Goxhën, pronarin e kompanisë “AMG Food” që solli nga Brazili në total, 27 tonë mish pule të papërpunuar, të ndarë në 4 lote.
Më 11 mars AKU bëri kontroll rastësor në 1 prej 4 loteve që AMG solli nga Brazili, 1 kontejner me 8 ton mish. Përgjigjen nga laboratori i ISUV për praninë e salmonelës në mostrën e marrë, AKU e mori me 21 mars, ndërsa publikun e njoftuan 1 javë me vonesë.
Ende sot e kësaj dite, AKU nuk ka thënë publikisht emrin e kompanisë importuese, që është AMG Food, dhe as nuk ka bërë të ditur se cilat janë 154 bizneset që blenë sasinë e mishit me salmonelë.
AKU nuk ka dhënë urdhër të shkruar që biznesi të mos nxjerrë nga porti i Durrësit mishin pa pritur më parë përgjigjet e analizave, por thjesht e ka informuar se mori mostër.
AKU është shprehur se pjesa më e madhe, gati 5 tonë është bllokuar ndërsa vijojnë kontrollet për të tërhequr çdo sasi nga tregu Fast Food-e, restorante e makete në 10 qarqe të vendit ku është shitur produkti, me përjashtim të Beratit dhe Lezhës.
AKU do të shkrihet
Në mes të kësaj situate që po hetohet nga organet ligjzbatuese, sipas një ligji të miratuar në Kuvendi në shtator të 2024-ës, AKU pritet të shkrihet.
Ligji i ri i inspektimeve përcakton se të gjitha inspektoratet e vendit do të shkrihen në vetëm 8 inspektorate qendrore, të cilat do të kenë të bëjnë vetëm me disa fusha specifike që Ministria e Sipërmarrjes do t’i caktojë në sajë të riskut. Një nga këto 8 inspektorate qendrore do të ketë edhe një strukturë që do të trajtojë çështjet e ushqimit, që aktualisht e bën AKU, dhe që brenda vitit do të zëvendësohet me “strukturën përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin zyrtar të veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve”.
Ky ligj është publikuar në Fletoren Zyrtare më 13 nëntor dhe hyn në fuqi në 13 maj. Më tej institucionet kanë 6 muaj të plotësojnë aktet nënligjore, për të ngritur 8 inspektoratet e tjera.