Pas reagimeve të shumta në rrjet nga personazhe publikë të Kosovës dhe Shqipërisë ku dënuan hapur vendimin e Klan Kosova për të futur në Big Brother Vip, Atilla Kardesh, ish bashkëshortin e Drenusha Latifi, i cili është i akuzuar nga kjo e fundit për dhunë fizike.
Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka reaguar më një njoftim zyrtar ku kërkon largimin e menjëhershëm të Atilla Kardesh nga spektakli. Gjithashtu në njoftimin e publikuar kërkohet që të merren masa nga Komisioni i Pavarur i Mediave kundër televizionit Klan Kosova për promovim të dhunës dhe shkaktimin e presionit psikologjik që i ka shkaktuar viktimave të dhunës.
Reagimi i plotë:
Reagim i Koordinatores Kombëtare dhe Grupit Ndërministror Kundër Dhunës në Familje, Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës me Bazë Gjinore.
Koordinatorja Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, dhe Grupi Ndërministror reagojnë ashpër ndaj vendimit të Televizionit Klan Kosova për të futur brenda një shtëpie në kuadër të një emisioni televiziv, personin që është denoncuar për dhunë në familje ndaj të cilit deri në shtator të këtij viti ka pasur Urdhër Mbrojtës. Ky vendim përveç tjerash ka për qëllim minimizimin dhe normalizimin e një fenomeni të rrezikshëm më të cilin po përballet shoqëria jonë, siç është dhuna në familje.
Grupi ndërministror për mbrojtjen dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, kërkon të ndërmerren veprime urgjente:
1. Vendimin për largim nga emisioni – show televiziv Big Brother personin e denoncuar për dhunë në familje, Atilla Kardesh
2. Ndërmarrjen e masave nga Komisioni i Pavarur i Mediave në raport me këtë vendim skandaloz të televizionit Klan Kosova
3. Vlerësimin e përgjithshëm të përmbajtjeve të emisioneve në Kosovë në raport me raportimin e ndjeshëm gjinor, riviktimizimin e viktimave të dhunës dhe presionin psikologjik që u shkaktohet viktimave të dhunës.
Koordinatorja Nacionale dhe përfaqësuesit e grupit ndërministror me qëllim të zbatimit “të masave për të promovuar dhe mbrojtur të drejtën për çdokënd, veçanërisht gratë, për të jetuar pa dhunë në sferën publike, si dhe në atë private”, tërheqin vëmendjen e televizionit Klan Kosova, në rastin e znj. Drenusha Latifi pjesëmarrëse e emisionit “Big Brother’’ e cila është e mbijetuar e dhunës në familje, dhe e cila ka poseduar Urdhër Mbrojtje (UM) prej ish bashkëshortit të saj, z. Atilla Kardesh, i cili UM ishte aktiv nga data 10/02/2024 për periudhën kohore në afat prej 6 muajsh.