Një skandal mjedisor me përmasa të rënda po zvarritet në heshtje në Porto Romano, ku 102 kontejnerë me mbetje të dyshuara toksike të eksportuara nga kompania Kurum janë kthyer nga Tajlanda dhe ruhen prej muajsh nën mbikëqyrjen e policisë. Megjithëse dyshohet se mbetjet janë të rrezikshme dhe janë eksportuar pa miratim nga vendi pritës, hetimet janë futur në një ngërç të frikshëm që sipas burimeve po zvarritet me ndërhyrje nga lart, kurse kompania shpërndau çanta me para në media dhe gjetkë për të mbyllur çështjen.
Mostrat që s’merren, laboratorët që “nuk gjenden”
“Nëse do ta vrasësh një çështje, zvarrite. Disa heshtin, disa blihen, dhe kështu do të shkojnë edhe hetimet.” Duket se kjo është filozofia që po shoqëron edhe rastin e Kurum, ku për të provuar ligjërisht përbërjen toksike të mbetjeve, kërkohet marrja e mostrave — një hap kyç që ende nuk është kryer.

Prokuroria, e cila ka bërë disa shkresa zyrtare dhe ka kërkuar ekspertë për të marrë mostrat, nuk ka marrë ende asnjë përgjigje se kush do të jetë institucioni ose personi që do të kryejë analizat. Kanë kaluar mbi 4 muaj nga momenti kur mbetjet janë kthyer, por ende asnjë laborator nuk është identifikuar për të marrë përsipër ekzaminimin. I vetmi institucion që ka dhënë një përgjigje është Drejtoria e Gjeologji-Minierave, e cila ka deklaruar se mund të kryejë vetëm një pjesë të analizave.
Ndërhyrje politike dhe një sistem që favorizon fajtorët
Burime pranë hetimit pohojnë se qeveria po ushtron presion të drejtpërdrejtë që kjo çështje të mos zbardhet dhe të mos ndëshkohet askush. Sipas tyre, zvarritja nuk është teknike apo procedurale, por e qëllimshme dhe politike.
“Nëse nuk ka laborator në Shqipëri, duhet të dërgohen jashtë vendit. Por as kjo nuk po ndodh. Ndërkohë, kompania transportuese që ka sjellë kontejnerët në Shqipëri kërkon t’i marrë mbrapsht, sepse i duhet t’i përdorë për aktivitetin e saj,” – thekson një burim i afërt me çështjen.
Kush përfiton nga zvarritja?
Nëse nuk ka ekspertizë, nuk ka krim të provuar. Dhe nëse nuk ka krim, nuk ka as përgjegjës. Situata po i shkon për shtat të gjithë aktorëve të përfshirë:
- Kurum: vazhdon aktivitetin ekonomik pa asnjë penalizim.
- Kompania eksportuese “Sokolaj”: nuk ka dhënë llogari për eksportin pa miratim të Tajlandës.
- Zyrtarët shtetërorë: kanë hyrë në rrugën e parashkrimit të veprave penale për neglizhencë apo abuzim me detyrën.
Mbetje të rrezikshme në zemër të zonës industriale
Kontejnerët ndodhen aktualisht në Porto Romano, në një zonë me histori të ndotjes së rëndë dhe me impakt të drejtpërdrejtë mbi mjedisin dhe shëndetin e banorëve përreth. Por, ndonëse ekspertët paralajmërojnë se mbetjet mund të jenë toksike, askush nuk ka guximin apo dëshirën institucionale për të çuar hetimet përpara.
Skandal pa emër dhe pa përgjegjësi
Fakti që mbetjet janë kthyer nga Tajlanda për shkak të mungesës së autorizimit zyrtar nga vendi pritës, është në vetvete një sinjal alarmi ndërkombëtar për abuzim me tregtinë ndërkombëtare të mbetjeve. Dhe pavarësisht këtij fakti, Shqipëria nuk ka identifikuar ende asnjë person përgjegjës.