Dikur, rrugët e Hasit ishin të gjalla, të mbushura me fëmijë dhe të rinj. Por sot, ato rrugë janë shndërruar në zbrazëti pa fëmijë, pa të rinj… pa jetë. Papunësia e lartë dhe varfëria që dominon këtë qytet kanë bërë që shumë prej tyre të detyrohen të braktisin atdheun dhe të kërkojnë mundësi në perëndim.
Të rinjtë e Hasit i kanë sytë tek emigracioni me destinacion Britaninë e Madhe. Nuk ka familje që të mos ketë të paktën një anëtar që ka emigruar në Britani. Ky fenomen nuk është thjesht një pasqyrim i mungesës së mundësive vendase, por një dëshmi e tragjedisë që po shuan shpresat e të rinjve për një të ardhme më të mirë në vendin e tyre.
Në këtë rrugëtim, do të shohim realitetin e hidhur të disa familjeve në Has, të cilat jetojnë me ndihma ekonomike, me borxhe për ushqime dhe shpresojnë vetëm për një mundësi të vogël pune që do të mund t’i nxjerrë nga ky qark i mbyllur i varfërisë. Një luftë për të mbajtur gjallë familjet e tyre, ndërsa shohin se si të rinjtë ikin drejt së panjohurës për të kërkuar një jetë më të mirë jashtë vendit.
Në Has, shumë familje janë të detyruara të bëjnë sakrifica të mëdha për të mbajtur veten dhe fëmijët e tyre gjallë. Gratë e moshuara, të cilat ndajnë historitë e jetës së tyre të dhimbshme, flasin për mangësinë e thellë që ka mbërthyer çdo aspekt të jetës së tyre.
Ato nuk mund të blejnë ushqimet bazë, dhe shpeshherë janë të detyruara të marrin ushqimet me borxhe, duke i shkruar emrin në listën e borxheve pranë dyqanit të lagjes. Në këtë mënyrë, ato janë të detyruara të kërkojnë mësymjen e një shprese që nuk vjen kurrë.
“SHPRESA PËR NJË JETË MË TË MIRË – EMIGRIMI SI ZGJIDHJA E VETME”
Një tjetër problem që vihet re në Has është emigrimi i të rinjve, të cilët po largohen për të kërkuar një mundësi më të mirë për jetën.
Në një qytet ku edhe pensionistët jetojnë me 6 mijë lekë dhe ku ushqimet blihen vetëm me borxhe, është e qartë se Hasi është një qytet në krizë dhe një pasqyrë e hidhur e atyre që po përballen me varfërinë ekstreme.
Sipas të dhënave nga EUROSTAT, shqiptarët janë ndër më të varfrit në Europë duke iu referuar të ardhurave për frymë dhe konsumit të ulët. Por kur vjen puna te çmimet e ushqimeve i kemi më të lartat në rajon duke ua kaluar edhe disa vendeve të Bashkimit Europian. Madje edhe me te shtrenjta se vet Kosova dhe për këtë arsye kush është në kufi shfrytëzon rastin për të kaluar kufirin dhe për të mbushur frigoriferin.
Ne gjendjen civile të Bashkisë së Hasit janë të regjistruar ne total 23 mijë banorë. Emigracioni në këtë zonë është shumë i theksuar, nuk gjen një familje që të mos ketë emigrant, në disa raste 80% e anëtarëve të familjes kanë ikur në emigrim.
Mundësitë e punësimit në këtë qytet janë të pakta, pasi nuk ka kompani private, por edhe minierat e hekurit, nikelit, kromit dhe bakrit nuk funksionojnë, gjë e cila kontribuonte në ekonominë e hasjanëve. Bizneset e vogla kryesisht janë vetëpunësime për mbijetesë, nuk kanë mundësi të ofrojnë vende pune.
Çdo vit në Shqipëri, mesatarisht lindja e fëmijëve është 3% më pak se vitet paraardhëse, duke shënuar shifra alarmante për të ardhmen e vendit. Për shkak të këtyre lindjeve ka rënë ndjeshëm numri i nxënësve në disa shkolla, të cilat rrezikojnë të mbyllen, ndërsa në disa shkolla mësimi zhvillohet në klasa kolektive.
Në të gjithë Shqipërinë gjatë 5 viteve të fundit janë regjistruar 3658 lindje më pak. Po të krahasojmë me numrin e vdekjeve, por edhe të rritjes së moshës, numri i lindjeve është shumë i vogël. Një tregues tjetër është fakti që popullsia në vendin tonë po pëson një plakje, pasi numri i personave me moshë të madhe ka ardhur në rritje.
Edhe pse Hasi paraqitet i varfër dhe me gjithë këto probleme, ka një peizazh malor me një faunë të pasur. Kullat e Hasit janë një ndër elementet arkitektonikë që karakterizojnë rajonin dhe janë një shembull i traditës së ndërtimit të kullave të fortifikuara të cilat shërbenin për mbrojtjen e pas luftës së Parë Botërore. Hasi ka pasur një traditë të fort bujqësore por për shkak të migrimit të brendshëm, por edhe të jashtëm, tradita e bujqësisë është zbehur duke ngelur më së shumti me toka djerr. Prodhimet bujqësore më së shumti i blejnë në Gjakovë sepse i gjejnë me kosto më të lirë se në zonën e tyre.
Shqipëria po kthehet në një parajsë të braktisur. Prej politikës, varfërisë dhe sistemit shumë pak ose aspak social, popullsia po zhvendoset dhe po deformohet jeta sociale e qyteteve të vogla.
Të rinj shqiptarë të moshës nën 35-vjeç shtyhen të marrin valixhet të lënë pas nënën dhe babanë për një jetë më të mirë.
Dështimi i një projekti
Nisur nga shifrat e larta të emigracionit, më 12 tetor 2022, ambasada e Britanisë së Madhe nisi zbatimin e projektit “Perspektiva të Reja” për Bashkinë Has, Kukës dhe Tropojë. Përmes këtij projekti synohej të frenohej emigrimi i të rinjve, qëndrimi pranë familjeve të tyre.
Projekti me vlerë 8.4 milionë paund kishte qëllim të fokusohej në krijimin e vendeve të reja të punës, aftësim profesional, investime dhe në përmirësimin e kushteve social-ekonomike në bashkitë e goditura rëndë nga emigracioni dhe varfëria. Ish-ambasadori Alastair King-Smith ngriti alarmin se shumë të rinj që i drejtoheshin Britanisë së Madhe në rrugë ilegale, përmes gomoneve dhe kamionëve për të kërkuar një jetë më të mirë po shfrytëzoheshin nga organizatat kriminale duke i punësuar në “shtëpi bari”.
Çfarë përmban projekti “Perspektiva të Reja”?
Projekti “Perspektiva të Reja” financohet nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe zbatohet nga Svvisscontact, në konsorcium me TAG International. Projekti synonte përmirësimin e kushteve socio-ekonomike që shpesh i shtyjnë njerëzit të migrojnë në mënyrë të parregullt në Mbretërinë e Bashkuar nga veriu i Shqipërisë (Kukës, Has, Tropojë, Burrel dhe Dibër). Projekti parashikohej të zgjaste nga shtatori 2022 deri më 31 mars 2026. Në këtë projekt ishin tre objektiva kryesore:
Rritja e qëndrueshmërisë së komuniteteve ndaj presioneve për të emigruar në mënyrë të parregullt në Mbretërinë e Bashkuar. Përmirësimi i kushteve dhe mundësive social-ekonomike në Qarkun e Kukësit dhe Bashkinë e Dibrës, veçanërisht për të rinjtë. Gjithashtu në fokus ishte dhe përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve, sektorit privat dhe pushtetit vendor për zhvillimin ekonomik të zonës.
Sa qytetarë kanë përfituar në bashkinë e Hasit?
Referuar të dhënave në Has gjatë vitit 2023 kanë përfituar kurse profesionale vetëm 11 të rinj, 14 persona në vitin 2024, ndërsa është kryer edhe financimi i ndërtimit të një laboratori në gjimnazin “Skëndërbeu” në Has. Por numri i personave që ka përfituar nga ky grant për vitin 2024 është zvogëluar në 3 persona, të cilët kanë marrë mësime në teknologjinë kompjuterike.
Projekti i Britanisë së Madhe ka dhënë një ndihmë simbolike, duke mos dhënë rezultatet që pritej. Ndërsa qyteti i Hasit vazhdon të goditet nga papunësia, varfëria dhe emigracioni që çdo ditë njeh vetëm rritje duke bërë që ky qytet të humbas pothuajse gjithë shkëlqimin e tij, që kishte ndër vite.