Njerëz të drejtësisë të përfshirë në pastrim parash…
Shqipëria vijon të jetë çerdhe për pastrimin e parave. Departamenti i Shtetit në çdo raport e ka ngritur alarmin dhe fusha ku hidhet më shumë para e pistë është ajo e ndërtimit.
Agjencia e Inteligjencës Financiare, ka publikuar raportin vjetor të vitit që lamë pas, ku bën me dije se ka identifikuar 234 raste për pastrim parash.
“Vlen të theksohet se pesha më e madhe e rasteve të dërguara nga AIF, i janë adresuar DPPSH, si organi ligjzbatues kryesor në vend dhe i specializuar për kryerjen e veprimeve hetimore. Ndër rastet e dërguara në Prokurori në vitin 2024, peshën më të madhe e zënë ato të dërguara në SPAK, ku përfshihen edhe rastet e dërguara në BKH, me 53% të totalit dhe pjesa tjetër i përket Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm. Gjatë vitit 2024, krahas dërgimit të rasteve në Prokurori dhe DPPSH, është dërguar informacion edhe në DPT për 25 raste për të cilat është konkluduar për dyshime për evazion fiskal, fshehje të ardhurash apo shkelje të tjera të legjislacionit tatimor. Në 2024, AIF ka dërguar 116 informacione në SHISH, në lidhje me çështjet të dyshuara për aktivitet kriminal, objekt i përbashkët interesi mes dy institucioneve”, thekson raporti. Në dokument theksohet se të përfshirë janë dhe njerëz të akuzuar për korrupsion, teksa merret si shembull dhe një ish-zyrtar i drejtësisë.
Më tej janë dhënë detaje dhe mbi skemat që ndiqen për pastrimin e parave nga njerëz të politikës dhe botës së krimit, të cilat kanë vënë në lëvizje organin në fjalë:
-Transferta të dyshimta (në mbërritje apo në dalje edhe në tentativë) me përfshirje të subjekteve, shtetasve të huaj dhe të pajustifikuara me dokumentacion mbështetës;
-Investim në pasuri të paluajtshme në vlera të larta, me burim të paqartë, të panjohur apo të pajustifikuar të fondeve;
-Blerje pasurish të luajtshme luksi (p.sh automjete në vlera të larta, bizhuteri, ora etj.) që nuk përputhen me kapacitetin financiar të klientit;
-Transaksione nga persona të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale të mëparshme apo lidhje me persona me precedentë penal;
-Kryerja e transaksioneve të copëzuara me qëllim për shmangien nga raportimi nën pragun e përcaktuar;
-Rritje të dyshimta të kapitalit të personave juridik, me burim të panjohur të ardhurave apo me elementë fiktiviteti;
-Shitblerja e kuotave/aksioneve të personave juridik me një çmim më të ulët apo më të lartë, krahasuar me vlerën e kapitalit neto të shoqërisë;
-Sponsorizime, dhurime, dhënie huaje nga/për të tretë pa lidhje të dukshme që mund të justifikojnë transaksionet mes palëve, apo transaksione me dyshime mbi burimin e fondeve dhe gjetje negative për palët e përfshira;
-Blerja e pasurive të paluajtshme nën vlerën e tregut;
-Përdorimi i personave të tretë për transaksione dhe investime, pa precedent dhe lidhje të dukshme kriminale, në funksion të fshehjes së origjinës së të ardhurave;
-Përfshirje personash të njëjtë apo të lidhur, në biznese të shumëfishta, me qëllim qarkullimin e fondeve, fshehjen e origjinës dhe destinacionit të tyre, duke kryer zinxhir transaksione në disa vende;