Ashtu siç u paralajmërua në vijën bregdetare do të kenë prioritet për stacione plazhi vetëm strukturat akomoduese, pra hotelet si ato të vijës së parë edhe ato që kanë afërsi me të.
Një rregullore e publikuar tashmë në QBZ saktëson mënyrën sesi do të procedohet për sezonin e ardhshëm ku subjektet duhet të përmbushin një sërë kushtesh për të përfituar hapësirë të shfrytëzueshme si stacion plazhi.
Kryesori duket se lidhet me faktin që të jenë struktura akomoduese të regjistruara dhe kategorizuara. Aplikimet do të bëhen në e-albania dhe gjithçka do të bëhet në bashkëpunim me njësitë vendore të cilat do të kenë edhe hartat specifike të hapësirave të disponueshme.
Konkretisht në pikën 7 të rregullores nënvizohet se në stacionin e plazhit ushtrojnë veprimtarinë subjektet që plotësojnë kriteret e kësaj rregullloreje dhe që lidhin një kontratë qiraje për përdorimin e hapësirës së plazhit, në varësi të kapacitetit të strukturës akomoduese, si dhe, rast pas rast, njësitë e vetëqeverisjes vendore përkatëse.
Në rastin e kërkesave të projekteve me potencial strategjik, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, apo kërkesave të investitorëve në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, kontrata për përdorimin e hapësirës së plazhit lidhet sipas akteve ligjore dhe nënligjore përkatëse.
“Kur veprimtaria e stacionit të plazhit ushtrohet nga subjekt privat, subjekti përmbush kriteret, si më poshtë: a) Të jetë i regjistruar si person fizik/tregtar apo juridik për ushtrimin e veprimtarisë, si strukturë akomoduese; b) Të disponojë një strukturë akomoduese të kategorizuar nga ministria përgjegjëse për turizmin, me hapësirë plazhi para/në afërsi të strukturës akomoduese; c) Të ketë shlyer të gjitha detyrimet tatimore qendrore dhe detyrimet vendore; ç) Të ketë një plan operimi për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të plazhit, duke përfshirë kushtet minimale dhe kërkesat e sigurisë për stacionin e plazhit” thuhet në pikën 3 të nenit 7 të rregullores.