Në seancën e mbajtur në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA), kreu i SPAK, Altin Dumani, ka kërkuar shkarkimin nga detyra të kryeprokurorit të Lezhës, Erjon Shehaj. Dumani, i cili përfaqëson Institucionin e Prokurorit Publik në këtë proces, argumentoi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për ta konfirmuar në detyrë Shehajn duhet të ndryshohet.
“Kërkoj ndryshimin e vendimit të KPK-së dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Erjon Shehaj,” deklaroi Dumani gjatë paraqitjes së pretendimeve në KPA.
Për të mbështetur kërkesën e tij, ai dorëzoi një dokumentacion prej 22 faqesh, në të cilin përmblidhen konkluzionet dhe argumentet mbi këtë çështje.
Dosja për drogën dhe eksplozivin, Dumani zbulon një tjetër shkelje
Një nga çështjet që Dumani solli në vëmendje gjatë seancës lidhet me arrestimin e një personi të rrezikshëm, i cili u kap me sasi hashashi dhe lëndë plasëse. Sipas kreut të SPAK, prokurori Erjon Shehaj e ka çuar çështjen për gjykim, duke rezultuar në një dënim prej vetëm 6 vitesh burg për të pandehurin.
“Në këtë dosje nuk janë bërë hetime. Ku e mori drogën personi? Ku do ta çonte atë? A jemi përpara veprave penale të kryera në bashkëpunim? Ku e mori lëndën eksplozive? Vetë e montoi? Nëse e montoi vetë, duhet provuar. Personi kishte rrezikshmëri shoqërore dhe dënimi ishte i ulët,” deklaroi Dumani.
Sipas tij, KPK ka konstatuar se nuk ka indicie për të vijuar hetimet mbi këtë çështje, por ai insistoi që Kolegji duhet ta shqyrtojë më tej këtë aspekt.
Dumani mbyll pretendimet me kërkesën për shkarkimin e Shehajt
Në përfundim të seancës, Altin Dumani theksoi edhe një herë qëndrimin e tij, duke i kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të ndryshojë vendimin e KPK-së dhe të shkarkojë Erjon Shehajn nga posti i kryeprokurorit të Lezhës. Tashmë pritet që KPA të dalë me një vendim përfundimtar mbi këtë çështje.