Në datën 11 janar 2025, Kryetari i PD, Sali Berisha, bëri një takim djallëzor me militantët në Pogradec, me temë: “Të shpëtojmë Pogradecin nga kullat e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt”, ku tha:
– Bregut piktoresk të liqenit, i ka dalë bajlozi i zi, si kuçedër që do shkatërrojë brigjet për t’u pasuruar me kullat përbindësha. Pogradeci ndodhet para një agresioni mafioz që do t’i zhdukë identitetin, por ne jemi këtu për ta shpëtuar nga babëzia e narko-shtetit”.
Por dy muaj më pas, konkretisht në muajin mars 2025, në televizionin e familjes “Berisha”, ka filluar të reklamohet ndërtimi i një kompleksi kullash në Drilon, me emrin “Pyjet e Drilonit”, shoqëruar me ofertat financiare për prenotime paraprake apartamesntesh e njësi tregtare.
Kryetari i PD, Sali Berisha, që ulëriti për ndërtimet në Pogradec, po hesht për kullat që do ndërtohen në Drilon; madje i ka dhënë urdhër të heshtë për to, edhe kryetarit të PD- Pogradec, kandidatit për deputet, Gentian Çela.
Sepse këtë kompleks kullash e resort në Drilon, do ta ndërtojë kompania “Kontakt& Magnet Imo Sh.p.k”, që 50% është në pronësi të Jamarbër Malltezit e 50% në pronësi të Fatmir Bektashit: njëri në “Arrest shtëpie”, ndërsa tjetri me dy masa “Detyrirm paraqitje” në SPAK, për 17 kulla te ish-kompleksi “Partizani” në Tiranë dhe te dosja “Veliaj”.

Faktet tregojnë, se pazaraxhiu Sali Berisha u vësul me akuza kundër kullave në qytetin e Pogradecit, si presion ndaj Edi Ramës, ngaqë bregun e liqenit e ka patur projekt- biznesi familjar të tij, nëpërmjet dhëndrit Jamarbër Malltezi e ortakut Fatmir Bektashi.
Por Babloku ia “qepi gojën” shpejt Sali Berishës, duke i dhënë leje për ndërtim kullash e resort buzë liqenit në Drilon, si “llokmë paqeje” mes tyre edhe në biznesin e ndërtimit, ku familja “Berisha” është një ndër ndërtueset më të mëdha në Shqipëri.
Kompaninë “Kontakt& Magnet Imo Sh.p.k”, të pandehurit Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi e krijuan në datën 25 tetor 2020, pasi bashkë me ish-kryeministrin Sali Berisha, u proceduan penalisht për grabitje trualli, falsifikim dokumentash, korrupsion, fshehje pasurie e pastrim parash me ndërtime.
Më 14 shtator 2022 pasi u morën të pandehur, Jamarbër Malltezi e Fatmir Bektashi pezulluan aktivitetin e kompanisë “Kontakt& Magnet Imo Sh.p.k”, me qëllim që të mos u sekuestrohej dhe SPAK nuk ua sekuestroi, ndërsa në datën 9 shtator 2023 ata e bënë aktive dhe vazhduan të ndërtojnë komplekse me pallate e vila.
Ndërsa tani, që Sali Berisha ka heshtur për kullat buzë liqenit në qytetin e Pogradecit, kryeministiri Edi Rama i dha Jamarbër Malltezit e Fatmir Bektashit, lejen për ndërtimin e komplesit me kulla “Pyjet e Drilonit”, buzë liqenit në Drilon.
Pazari dhe paqja e biznesit ndërtimor mes Sali Berishës e Edi Ramës, u bë dhe me lejet e ndërtimit për komplekset me pallate e vila “Mangalem 21”, “Marga”, “Magnet”, “ABA”, “Kaimi”, “Kadiu”, “OXA”, “SiRi” e “Nokia”, që Jamarbër Malltezi e Fatmir Bektashi kanë ndërtuar dhe po ndërtojnë në periferi të Tiranës, mbi toka shtetërore e private të grabitura me letra false./Pamfleti