Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të merret në pyetje ditën e sotme nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme në orën 09:30, ndërsa do të pyetet në lidhje me dosjen për 21 Janarin.
Opozita e kryesuar nga Edi Rama thirri shqiptarët për një demonstratë kundër qeverisë më datë 21 janar 2011.
Protesta nisi e dhunshme dhe pati goditje mes pjesëmarrësve dhe policisë, ndërsa gjatë pasditës u përdorën edhe armët e zjarrit në drejtim të demonstruesve nga brenda gardhit të kryeministrisë.
Si pasojë, u vranë Faik Myrtaj, Aleks Nika, Ziver Veizi dhe Hekuran Deda.
Hetimet e SPAK për 21 Janarin
Hetimet për 21 janarin 2011 nisin pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës në Gjykatën e Lartë e vetmja vrasje pa autor e 21 janarit, për shkak se predha që iu hoq nga trupi në Turqi ishte e dëmtuar, e paekspertueshme se nga cila armë u qëllua.
Familja e Nikës prej më shumë se një dekade kërkon drejtësi për vrasjen e djalit të tyre dhe tashmë SPAK pritet të zbardhë të vërtetën e asaj ngjarje dhe rolin e kupolës më të lartë shtetërore.
Procedimi penal është regjistruar për vrasjen e Nikës dhe plagosjen e tre protestuesve të tjerë, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa, por nëse akuzat provohen dhe faktohet se garda është urdhëruar të kalojë nga plumbat manovër në plumba të vërtetë nga Sali Berisha apo Lulzim Basha, ndëshkimi do të jepet për të gjitha jetët e humbura, si krim shtetëror!
Ky hetim pritet të nxjerrë në dritë detaje të reja mbi rolin e kupolës shtetërore. Vetë familja Nika, pretendon që ka një audiokasetë ku janë të regjistruara të gjithë komunikimet me zë, të komandantit të gardës Ndrea Prendi me personelin drejtues të Gardës.
Kjo kasetë i është dorëzuar prokurorëve nga xhaxhai i Aleks Nikës.
“Të mbahen armët në dorë gati për zjarr. Të mbahen armët në dorë gati për zjarr në ajër, pastaj kur të them unë në trup”, kështu shkruhet në një letër që Rajmonda Nika i ka dërguar Gjykatës së Lartë më 11 mars mbi këtë audiokasetë.
Strasburgu urdhëroi nxjerrjen e përgjegjësve të vërtetë, ata që urdhëruan gardën të shtijë me armë ndaj turmës së protestuesve, ndaj SPAK është përballë sfidës për t’i dhënë fund pritjes së pafundme për drejtësi për vrasjet e katër të pafajshmëve. Në 21 janar 2011 mbetën të vrarë Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, ndërsa prokuroria e Tiranës çoi të pandehur vetëm ish-komandantin e gardës Nrea Prendi dhe përgjegjësin e njësisë speciale Agim Llupo të cilët në 2013-ën u dënuan nga gjykata për vrasje nga pakujdesia, Prendi me 1 vit burg, Llupo me 3 vite.