Detaje të reja kanë dalë nga atentati mafioz i realizuar në 30 Tetor 2024 në zonën e Dobraçit (Shkodër), ku humbën jetën 4 personat Hamza Lici, Arlind Bushati dhe çifti i të moshuarve Bashkim dhe Flutura Bushati.
Makina tip “Range-Rover” e vjedhur në Durrës para se të përdorej në këtë vrasje, ka qarkulluar lirshëm në zonën e Kirasit dhe Dobraçit, duke krijuar bindjen tek banorët e zonës se i përket grupit të Operacional në Polici apo RENEA-s.
Ideja se makina përdorej nga punonjës policie për qëllime shtetërore, është ngulitur bindshëm nga banorët, pasi individët që lëviznin me këtë makinë kanë ndaluar disa banorë dhe djem të rinj në Dobraç dhe Kiras, të cilët duke ju prezantuar si “Policë” i kanë kontrolluar fizikisht e më pas i kanë lënë të lirë.
“Ora News” ka mësuar se qarkullimi i saj në publik me persona që mbanin të veshur jelekë me mbishkrimin “Policia” dhe ndalimi në rrugë i disa banorëve, ka krijuar perceptimin se vërtet kjo makinë ishte në përdorim të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Por e gjitha kjo strategji, ka qenë thjesht për maskim, duke u përdorur si “kurth” për anëtarët e fisit Lici, të cilët ditën e ngjarjes kanë dalë nga banesa e tyre me një automjet “Benz” të zi, pasi kishin planifikuar të shkonin për të darkuar në Podgoricë të Malin e Zi.