Në bazë të përgjimeve telefonike të përftuara, rezulton se midis datave 5-6 shkurt 2024, Artjon Çaushllari është shpesh në kërkim të një lënde kimike të llojit Permanganat Kaliumi dhe Bisulfit Sodiumi.
Një ditë më pas, më datë 7 shkurt, Çaushllari është ndalur në rrugën Vangjush Furxhi, ku ka marë në një banesë, një të njohurin e tij kolumbian (kontakt i cili është fotografuar)
Nga ky vend, më pas të dy kanë shkuar në ambientet e një kompanie, ku dyshohet se kanë siguruar lëndët kimike, të cilat do i përdornin si prekursorë për ekstraktimin apo përpunimin e kokainës.
Është kjo ndjekje e cila duket se çon agjentët operacionalë në bazën e parë të përpunimit të kokainës nga grupi kriminal. Atë të një laboratori droge të fshehur në një vilë të braktisur në fshatin Manzë të Durrësit.
Këtu, ku nga raporti i vëzhgimit, del se Artjon Çaushllari pasi ka siguruar kimikatet, lë të vetëm në banesë kolumbianin që kishte marrë me vete në Tiranë.
Me siguri që tashmë ai të vazhdojë punën i pavarur për ekstraktimin e kokainës.
Dosja Hetimore
Pasi Artjon Çaushllari dhe lidhja e tij kolumbiane siguruan lëndët kimike në Tiranë, ata vihen re teksa udhëtojnë në drejtim të zonës së Radës, Durrës.
Në orën 11.20, të dy takojnë shtetasin Baki Huqi, në lokalin e këtij të fundit, dhe më pas të tre nisen drejt zonës së Manzës në Durrës.
Ku shihen teksa frekuentojnë një vilë në lagjen nr 9, në një rrugicë pa dalje, të pabanuar me dritare të mbyllura dhe e nxjerrë në shitje nga pronarët.
Vetëm një orë më pas Artjon Çaushllari dhe Baki Huqi dalin nga vila, dhe lënë brenda saj shtetasin kolumbian. Ku dyshimet janë se ambientet e vilës shfrytëzohen me qëllim ekstraktimin apo përpunimin e lëndës narkotike të llojit kokainë.
Ky duket se është edhe momenti kulmor, ku tashmë Artjon Çaushllari, krijon bindjen se më në fund kishin mundur të kryenin procesin e ekstraktimit të kokainës.
Kjo pasi kolumbiani duket se ia kishte dalë me sukses të kryente këtë proces në laboratorin e vendosur në vilën e braktisur në fshatin Manzë.
Çka duket se sjell një lumturi të pamatë te Çaushllari vetë. I cili nuk vonon ta ndajë këtë lajm të jashtëzakonshëm edhe me miqtë e tij, midis të cilëve edhe Klajdi Birçe.
Edhe ky një tjetër i arrestuar në kuadër të të njëjtit grup kriminal, në operacionin që përfundoi me sekuestrimin e laboratorit të Qerekës në Fushë-Krujë.