Zjarri i rënë mbrëmjen e djeshme në lagjen “15 Tetori” në Fier, ku brenda saj ndodheshin dy të moshuar, nuk ishte aksidental.
Ishte djali i dy të moshuarve Altjon Sulejmanaj, 42-vjeç, që jo vetëm i vuri flakën banesës së tyre në katin e tretë të një pallati 4- katësh, por mbylli dyert në mënyrë që ata të mos dilnin dot nga banesa dhe të digjeshin.
42-vjeçari, pasi u sigurua që banesa mori flakë, u largua por policia arriti ta vinte në pranga.
Nga veprimet hetimore thotë policia, dyshohet se ky shtetas ka ushtruar më parë dhunë ndaj prindërve të tij.
“Mbrëmjen e djeshme, në lagjen “15 Tetori”, Fier, një banesë ku ndodheshin 2 të moshuar, është përfshirë nga flakët. Pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikëses, të cilët kanë mundur të nxjerrin nga banesa, 2 të moshuarit, në gjendje të mirë shëndetësore. Zjarrfikësit kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit. Nga hetimet paraprake rezultoi se djali i shtetasve të moshuar, shtetasi A. S., 42 vjeç, banues në Fier, i ka vënë zjarrin banesës ku jetonte bashkë me prindërit, ka mbyllur dyert, në mënyrë që ata të mos dilnin nga banesa dhe është larguar” njofton Policia.
Policia ka arrestuar 42-vjeçarin dhe nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka ushtruar më parë dhunë ndaj prindërve të tij.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, “Dhuna në familje” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.