Jemi dëshmitarë të një prej skandaleve më të rënda mjedisore në historinë e vendit. Në Porto Romano ndodhen rreth 816 ton mbetje kimike, ndërsa 58 ton të tjera u kapën në Itali ditët e fundit. Megjithatë, askush nuk flet!
Çështja e mbetjeve toksike të rikthyera nga Tajlanda dhe të depozituara në Porto Romano është lënë në harresë. Është koha që kjo çështje të rikthehet në vëmendje.
Shqipëria – Një korridor transit për mbetjet kimike?
Guardia di Finanza ka konfirmuar paralajmërimet e ekspertëve, të cilët prej kohësh kanë ngritur alarmin: Shqipëria është kthyer në një korridor transiti për trafikun e mbetjeve kimike. Kanë kaluar pothuajse pesë muaj nga zbulimi i 816 tonëve mbetje toksike të kompanisë Kurum, të rikthyera nga Tajlanda, dhe ende Prokuroria e Durrësit kërkon ekspertë për të përcaktuar natyrën e tyre.
Kjo vonesë është pasojë e paaftësisë, apo thjesht një mënyrë për të mbrojtur të përfshirët? Pas këtij trafiku qëndrojnë shuma marramendëse parash, dhe vonesat vetëm sa ndihmojnë përgjegjësit të manipulojnë provat dhe të shpëtojnë pa u ndëshkuar.
Pse nuk është gjetur asnjë përgjegjës?
Ku është zhdukur kompania “Sokolaj shpk”, e cila miratoi mbetjet pa miratimin e vendit pritës? Ministria e Mjedisit vazhdon të heshtë, duke u kufizuar vetëm në mbikëqyrjen e 816 tonëve mbetje toksike. Ndërkohë, përgjegjësit përfitojnë nga kaosi dhe zvarritjet.
A do të veprojë SPAK?
Meqë Prokuroria e Durrësit ende nuk ka gjetur ekspertët e duhur, përse SPAK nuk nis një hetim mbi këtë grup të strukturuar kriminal, ku përfshihen zyrtarë që lejuan këtë skandal të ndodhte? A ka ndonjë institucion që do të mbrojë qytetarët, shëndetin e tyre dhe mjedisin?
Koha po kalon, dhe e vërteta mund të mbetet e fshehur përjetësisht!