Që kryetarja e Kuvendit është shndërruar në një personazh qesharak me protagonizmin e saj të pavend personal, nuk është më lajm. Por që zyra e shtypit të Parlamentit të Shqipërisë të ndajë për median njoftimin se Kryegjyshi Bektashi, Baba Mondi, i ka uruar ditëlindjen Elisa Spiropalit me një tortë, kjo po që është një lajm i rrallë për një vend demokratik.
I tillë është edhe rasti i sotshëm, ku Elisa Spiropali ka marrë pjesë në iftarin e shtruar nga kreu i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj. Gjatë kësaj darke iftari, Baba Mondi i ka bërë Spiropalit një surprizë me një tortë të madhe për ditëlindje.
Spiropali ka sot ditëlindjen dhe Baba Edmond Brahimaj, duke zbuluar këtë fakt për të pranishmit dhe duke ofruar tortën e përgatitur me këtë rast, e uroi Spiropali në emër të të gjithë të pranishmëve: “Në Iftarin që shtrojmë sot kemi edhe një gëzim tjetër, ditëlindjen e zonjës Spiropali. Prandaj edhe në emrin tuaj e uroj Kryetaren e Kuvendit në këtë ditë të shenjtë: Të bëhesh 100 vjeç, të jesh e ëmbël dhe të na nxjerrësh ligje të ëmbla.”, u shpreh Baba Mondi.
Që darkat e iftareve janë shndërruar prej vitesh në platforma propagande për politikën shqiptare, kjo është një tjetër çështje që meriton diskutim. Por që Parlamenti i Shqipërisë të shndërrohet në zëdhënës të tortave-surprizë për Spiropalin, është turp për ata që e shkruajnë dhe e trajtojnë seriozisht një absurditet të tillë.
