SPAK arrestoi pak muaj më parë kreun e Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro me akuzën e falsifikimit të dokumenteve zyrtare pasi rezultoi nga hetimet se ai kishte rol në transferimin e rreth 10 mijë metrave katror tokë nga pronë private në tokë publike dhe më pas në përdorim të bashkëshortit të Olta Xhaçkës kur ishte ministre, për të ndërtuar resort turistik.
Sipas SPAK, Jorgo Goro dhe të tjerët kanë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe prandaj duheshin arrestuar dhe hetuar për këtë vepër penale.
Lufta për tokat në jug është bërë mjaft e fortë dhe tashmë vëmendja e oligarkëve është pikërisht për të kapur ngastra me apo pa pronarë me qëllim ndërtimin e resorteve.
Por, ndërkohë që SPAK duket se veproi konform ligjit në këtë rast, duke arrestuar Goron dhe ndjekur penalisht të tjerët, po ndjek një standard tjetër sa i përket pushtimit dhe shkatërrimit nga kompania Porti MBM të ish-depos së minave detare në Porto Romano.
Me të kuqe, një pjesë e territorit të bazës detare të shkatërruar, po ashtu duken dhe godinat ushtarake të hedhura në tokë. Siç tha edhe vetë Niko Peleshi disa muaj më parë, vetë Ministria e Mbrojtjes ka bërë dy padi dhe një tjetër gjendet në SPAK, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim ndaj kompanisë Porti MBM, në pronësi të Frident Kuqit dhe Shefqet Kastratit.
Çuditërisht, ata janë toleruar dhe tolerohen sa i përket çështjes në fjalë edhe pse kanë kryer një shkelje të ligjit, përmes shkatërrimit të bazës ushtarake.
Jo vetëm Zahiri News, që ka sjellë vazhdimisht në vëmendjen e publikut shkatërrimin që ka ndodhur dhe që po ndodh në Porto Romano, por të njëjtën gjë kanë bërë dhe media të tjera, por SPAK vijon ta tolerojë Kastratin dhe Kuqin.
Pse SPAK operon me standardin e duhur kur bëhet fjalë për Jorgo Goron dhe nuk ka guxim të prekë Shefqet Kastratin dhe Frident Kuqin për një shkelje ligjore të bërë?
Vetë Kastrati dhe Frident Kuqi i EIDA-s fshihen pikërisht pas kompanisë Adriatic Bay Investment Group Sh.P.K. Sipas dokumenteve, në këtë kompani Kastrati ka 65% të aksioneve, kurse Frident Kuqi ka 35% të aksioneve. Praktikisht, Kastrati dhe Frident Kuqi kanë 99% të totalit të aksioneve të kompanisë që ka zhvatur ish-depon e minave detare në Porto Romano sipas padisë së Ministrisë së Mbrojtjes, kurse Salillari ka pjesë me vetëm 1%.
Pas marrjes së koncensionit në fjalë, Frident Kuqi ka ndërruar emrin e kompanisë nga Europetrol SG në Europetrol Durrës Albania. Gjatë një deklarate për mediat ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaroi se kompania koncensionare vërtetë kishte zhvatur pronën e ushtrisë pa asnjë leje nga qeveria duke bërë një vepër penale, gjë për të cilën ai tha se ministria që ai drejton i ishte drejtuar prokurorisë së Durrësit edhe pse kjo e fundit nuk kishte kryer asnjë procedurë të qenësishme deri më tani. Por, futja e SPAK-ut në lojë si edhe fakti se Kastrati Group është i përfshirë edhe në skandalin e portit të Limionit në Sarandë e bën çështjen shumë serioze duke rritur rrezikun që ndonjë oligark të hetohet me rrënjë për përvetësimin e pronave të ushtrisë.