Përveç ministrave e deputetëve, petalet e sotme të PS, si model karriere përmes elozheve kanë ish-magazinieren nga Shkodra, e cila u bë deputete e ministre, pasi e quajti Edi Ramën “Zeus i Shqipërisë”, ndërsa Bora Muzhaqi u bë ministre, me termin satirik, “Ylli Polar i Ballkanit”…
U kaluan me humor, ulërimat e disa të rinjve, që deklaruan me histeri e krenari, se janë petalet e trëndafilit, por dhe me ditirambe deri në hyjnizim të figurës së Edi Ramës, duke e quajtur dielli rreth të cilit rrotullohet PS-ja, politika dhe Shqipëria.
Këto deklarime u përcollën me humor në media e rrjetet sociale, por i krijuan siklet dhe vetë Bablokut, i cili u mundua t’i justifikonte, pasi i doli doza e dehjes prej eleozheve groteske.
Në fakt, ato janë mendësia reale e të rinjve në Shqipëri, të cilët kanë krijuar një vetë-skllavërim të dëshiruar deri në zvarrisje para shefit të partisë e qeverisë, sepse e kanë parë, që ai është “Sulltani” që vendos për gjithçka e mund t’u dhurojë çdo lloj pushteti e pasurie.
Të rinjtë “petale”, nëpërmjet lavdeve ndaj Edi Ramës, ëndërrojnë të bëhen pjesë e oborrit dhe e klanit në kupolën e pushtetit, siç janë bërë shumë të tjerë deri tani me këto sjellje perverse.
Petalet ëndërrojnë të bëhen si Gonxhja i Bablokut, me fuqi financiare, me pasuri e biznese, të cilat nuk i ka siguruar me punë e as nuk i ka trashëgim nga babai, por nga postet që i ka dhënë Babloku e prej lirisë për të vjedhur.
Edhe Blendi Gonxhja, në lëvizjen e Dhjetorit ’90-të, u fut si “petale” e partisë, por u bë “gonxhe” e pushtetit të rikthyer komunist, duke iu dhënë posti Shef Kabineti i Edi Ramës në vitin 1998 kur ai ishte Ministër Kulture.
Petalet e sotme të PS, kanë dëgjuar se Blendi Gonxhja, u bë “Gonxhe” e partisë dhe qeverisë, vetëm me një deklaratë në atë kohë, se “Edi Rama është fryma dhe fuqia hyjnore që do shpëtojë Shqipërinë”, por dhe pas firmave që hidhte për milionat e nuk iu nda më pushtetit të Edi Ramës.
Në tetor të vitit 2000, Gonxhja u emërua N/Kryetar i Bashkisë së Tiranës, por pas hapjes së digës së liqenit të Tiranës, me pasojë 40 milionë Euro dëme në banesa e biznese, i shpëtoi drejtësisë, krijoi biznes transporti mallrash e udhëtarësh në Greqi e Shqipëri, por dhe “pakëz” kontrabandë makinash, karburanti e ndërtimesh.
Petalet e PS, panë që në muajin nëntor 2018, Gonxhja i Bablokut u emërua Drejtor i Transportit Rrugor; ndërsa në muajin janar 2024 u emërua ministër i trefishtë për ekonominë, kulturën e inovacionin, ku ka në dorë një pjesë shumë të mirë të tenderëve e pasurive të Shqipërisë,
Prandaj petalet e sotme të PS, duke iu lëpirë Bablokut e duke deklaruar besnikëri ndaj tij, ëndërrojnë të bëhen si Gonxhja, me pushtet, të sigurojnë miliarda, pasuri e të hapin biznese.
Përveç Gonxhes, petalet e sotme të PS, si model karriere përmes elozheve, kanë edhe ish-magazinieren nga Shkodra, Edona Bilali, e cila u bë deputete e ministre, menjëherë pasi quajti Edi Ramën “Zeus i Shqipërisë”.
Petalet e PS, ëndërrojnë të bëhen të pasur, nëpërmjet pushtetit që duan të sigurojnë duke lëpirë Bablokun, sepse model të tillë kanë Olta Xhaçkën, Ogerta Manastirliun, Blendi Klosin, Lindita Nikollën, Milva Ikonomin, Bledar Çuçin, Mirela Kumbaron, e të tjerë e të tjerë.