Kuvendi ka hapur një tender me vlerë 140 mijë euro për blerjen e kamerave të reja për ambientet e institucionit. Për këtë blerje është përdorur procedura e tenderëve të klasifikuar, ku mbahen sekretë të dhënat konkrete. Kjo procedurë prokurimi sipas ligjit, përdoret nga agjencitë e sigurisë kombëtare sa herë bëjnë blerje të nevojshme në këtë fushë.
Por a hyjnë kamerat e ambienteve të Kuvendit dhe mirëmbajtja e tyre 4 vjeçare në këtë kategori?
Parlamenti shpjegoi se prodhon dhe përdor dokumente sekrete, e për këtë tenderat e tij të kamerave nuk mund t’i fitojë kushdo, ndaj kërkesë specifike për kompaninë që do të ketë në dorë pamjet e ambienteve, parlamentare, është të “Të jetë e pajisur me certifikatë sigurie të vlefshme të nivelit konfidencial ose më lart”.
“Gjatë veprimtarisë së tij, Kuvendi i Shqipërisë prodhon, administron, qarkullon informacion të klasifikuar. Kuvendi ka Zona të Informacionit të Klasifikuar, e cila është ngritur dhe funksionon sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi. Kuvendi i Shqipërisë ka edhe personel të pajisur me Certifikatë Sigurie Personale të përshtatshme për realizimin e procedurave të prokurimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilat përmbajnë informacion të klasifikuar”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit.
Por për çfarë do të shërbejnë këto kamera sigurie në Kuvendin e Shqipërisë saktësisht dhe pse ka lindur nevoja e këtij investimi?
Ngjarjet e fundit në Kuvend me përplasje deputetësh nga kënde të ndryshme të godinave parlamentare ka nxitur administratën e Kuvendit të forcojë nivelin e filmimit dhe kontrollimit të ambienteve.
“Ka nevojë të mbulohen me vëzhgim/monitorim edhe disa zona të cilat nuk mbulohen aktualisht. Po ashtu, kemi pasur raste kur autoritetet nuk kanë arritur të marrin filmime për zbardhje ngjarjesh për shkak të mosmbulimit me monitorim nga kamerat aktuale. Janë kërkuar një numër shtesë pajisjesh dhe pikash vëzhgimi/monitorimi nga ana e Gardës se Republikës me qellim përmirësimin e sigurisë”, sqaron Kuvendi.
Kuvendi thotë se kamerat e reja do të monitorojnë edhe magazinat apo kabinat elektrike. Ka pasur raste ende të pazbardhura e të dyshimta të ndërprerjes së energjisë gjatë punimeve parlamentare.