Shefqet Kastrati, i njohur ndryshe si “Çeti”, e filloi karrierën e tij në vitet ’90 të shekullit të kaluar si shofer kamioni (në Shqipëri i njohur si “Ziz”), shkruajnë mediat shqiptare dhe sot me ndihmën e Edi Ramës, ai ka marre burimet kyçe shqiptare, nga nafta, sigurimet, aeroporti i vetëm ndërkombëtar, rrugët, ndërtimet, asetet ushtarake, tenderët shtetërorë… Mediat shqiptare shkruajnë se “Çeti” madje “monopolizoi pastrimin e parave të grupeve kryesore kriminale në Shqipëri”.
Sipas raporteve shqiptare dhe ndërkombëtare, kompanitë e tij të ndërtimit janë “pastruesit” më të mëdhenj të parave nga droga, trafiku dhe aktivitete të tjera kriminale në Ballkan.
Që prej ardhjes në pushtet të Edi Ramës, Kastrati ka fituar tendera shtetërorë, me vlerë qindra milionë euro, përmes kompanive të tij që merren me ndërtimin, tregtinë e naftës dhe sigurimet. Vetëm një nga ato kompani ka marrë mbi 400 tenderë, me një marzh fitimi deri në 30%.
Mediat e quajnë Kastratin “mbret i korrupsionit, lidhjeve me krimin, politikën dhe pastrimin e parave, zhvatjes së të mirave publike” dhe e akuzojnë për lidhje personale dhe biznesi me trafikantin ndërkombëtar të drogës Anton Gjinaj, i njohur ndryshe si Pashk Rapi, i cili u arrestua në prill 2021 në kufi në vendkalimin e Bozhajt, me fletë arresti ndërkombëtar për kontrabandë droge dhe ndodhet në burg në Spuz.
Përveç qytetarëve që e akuzojnë se u ka shitur karburantin më të shtrenjtë në Ballkan, Çeti u shpëton edhe kontrolleve të institucioneve publike. Sipas burimeve të Zahiri News, në institucionin që kontrollon cilësinë e naftës në laborator, tjetër naftë dërgohet për analizë laboratorike dhe tjetër tregtohet faktikisht në stacionet e karburantit të Çet Kastratit. Por përveç cilësisë, Çeti i shpëton edhe kontrollit të sasisë, nga koncesionari Noa Control i Gentian Sulës, ku kontrollet tek karburantet e Çetit bëhen për formalitet, duke lënë të pambrojtur konsumatorin Shqiptar, por edhe evazionin fiskal me pasojë negative në buxhetin e shtetit. Por për koncesionarin Noa Control do të flasim në vijim, se si në 4-vjeçarin e fundit, me ndihmën edhe të ministrave apo ish ministrave, sekretarëve të përgjithshëm të ministrisë së financave, ka abuzuar me zbatimin e kontratës koncesionare, subjekte që janë lënë pa kontroll, subjekte problematike që nuk janë raportuar etj.