Plot 108 960 euro dhe 600 franga, janë sekuestruar në Portin e Durrësit, të cilat dyshohen se janë të ardhura nga aktivitet kriminal.
Arrestohet në hyrje të Shqipërisë, Jahje Zebi, iu gjetën paratë në furgonin që drejtonte.
3 ditë më parë, Policia e portit të Durrësit sekuestroi 223 200 euro të dyshuara produkt i krimeve dhe vuri në pranga poseduesin e tyre.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve dhe verifikimeve të imtësishme në hyrje/dalje të Shqipërisë, me objektiva parandalimin dhe goditjen e krimeve ne kufi, në bashkëpunim me autoritetet doganore, finalizuan fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Aseti”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi Jahje Zebi, 40 vjeç, banues në Dibër.
Gjatë kontrollit në vijën e dytë, në furgonin që drejtonte ky shtetas, u gjetën 108 960 euro dhe 600 franga, që tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar në pkk.
Së bashku me paratë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, furgoni që drejtonte i arrestuari, si dhe 2 celularë dhe pasaporta e tij.
Në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me partnerët, vijon puna për të dokumentuar burimin e parave të sekuestruara.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.