Ndarja e copave të Shqipërisë duke ngrënë qofte në ballkonet e oligarkëve- siç pati dëshmuar Arben Ahmetaj tek Çim Peka- vazhdon më ritëm intensiv. Copa e fundit që po rrëmbehet është Plazhi i Llamanit, një nga gjiret më të bukura të Bregdetit Shqiptar.
Në mbledhjen e fundit, që u zhvillua para dy javësh, Këshilli Kombëtar i Territorrit dhe Ujit miratoi më shumë se 60 vendime. Mes tyre, me numër 26, ishte dhe vendimi për miratimin e lejes së ndërtimit për objektin: “The Concave”, Objekt hoteleri dhe shërbime 3 dhe 4 kate dhe pishina, me vendndodhje në Llaman, Bashkia Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Bega – 07” sh.p.k.”

Ky në foto është objekti që do të ndërtohet në Plazhin e Llamanit. I pagëzuar me emrin Konkava, ai është projektuar nga studioja portugeze OODA Architechture për llogari të kompanisë Bega-07. Kjo kompani zotërohet nga biznesmeni Arben Muçobega, njëri prej përfituesve më të mëdhenj të lejeve të ndërtimit në Jug dhe Tiranë, që rezulton i lidhur ngushtë me socialistët.

I gdhendur në bregdetin e thyer të Rivierës Shqiptare, The Concave është një hotel premium butik me 63 dhoma, të formuara nga konturet e plazhit të Llamanit.
Sipas përshkrimit të projektuesit hoteli dhe trualli janë të pandashëm, në dialog të vazhdueshëm dhe ndërhyrja ripërcakton bregdetin duke krijuar një identitet koheziv arkitektonik që respekton origjinalitetin e papërpunuar të sitit.
Sipas fotove, duket qartë se betoni masiv i hotelit do të ngrihet mbi rërën e plazhit, teksa babëzia tashmë po privatizon edhe plazhet duke mos kursyer asgjë.

Pikëpyetjet e pronësisë
Në maj të vitit të kaluar, Komiteti i Investimeve Strategjike refuzoi dhënien e statusit të investitorit strategjik një projekti për resort në Gjirin e Llamanit, me vlerë investimi 63 milionë euro. Sipas vendimit të Komitetit të Investimeve, arsyeja për refuzimin e statusit të projektit ishte paqartësia e pronësisë.
“Zona e projektit nuk ka një regjistrim fillestar në kadastër, mosregjistrim i cili pengon marrjen e veprimeve të mëtejshme ligjore nga ana e institucioneve,” thuhet në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike.

Mbetet e paqartë nëse resorti i propozuar ka qenë në të njëjtin vend ku do të ndërtohet tani hoteli Konkava. Por emrat janë të njëjtët. Kompanitë aplikuese për resortin, të cilit iu refuzua statusi i Investimit Strategjik ishin Bega-07 e Muçobegës dhe Capital B shpk. Kjo e fundit zotërohet 100 për qind nga Redjan Basha.
Zoti Basha është ortak dhe administrator në shoqërinë Abkons. Ai zotëron 30 për qind të aksioneve të Abkons, ndërsa 70 për qind e kuotave zotërohen nga ndërtuesi Besnik Leskaj. Të dy kompanitë si Capital B ashtu dhe Abkons kanë të njëjtën adresë zyrtare; “Njesia Bashkiake nr 2, Rruga Themistokli Gremenji, Prane RTSH, kati 2.”
Por përtej emrave, pikëpyetjet ngrihen për pronësinë. Së pari kur u bë regjistrimi fillestar i pronësisë në Kadastër dhe si u përfitua ajo nga kompania ndërtuese e hotelit. Sipas projektit arkitektonik të bërë publik nga Oda në faqen e saj, shihet qartë se hoteli do të ndërtohet në rërën e plazhit.