Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka prezantuar 12 drejtorët e Drejtorive Vendore të Policisë.
Drejtues i qarkut Tiranë është zgjedhur Elton Alushi, ndërsa Vilson Bala është emëruar në Durrës. Në Shkodër ku situata me krimin mbetet e nxehtë është zgjedhur në krye të Policisë Fatmir Lleshaj.
“Sot përmbyllet një tjetër fazë bazuar në reformën më të re për emërimin e drejtuesve të policisë në qarqe. Kemi 12 drejtues të rinj të dalë nga ponkursi ku morën pjesë 43 konkurrentë”.-tha ministri në nisje të fjalës së tij.
Ai ka dhënë porositë për ta, duke vënë theksin tek atentati me katër viktima në Dobraç të Shkodrës, ku tha se autorët duhet të shkojnë sa më shpejt para drejtësisë. Kujtojmë se drejtues i qarkut Shkodër iu emërua Fatmir Lleshaj.
Ministri shtoi se policia duhet të heqë dorë nga ndjekja e rasteve si riparime të vogla në banesat në fshat duke theksuar se misioni i policisë është tjetër, nga ai i ‘ngacmimit” të qytetarëve nga punonjës të papërgjegjshëm.
“Shkodra duhet të zbardhet plotësisht dhe para drejtësisë duhet të dërgohen autorët. Edhe çdo ngjarje e vogël që nuk bën lajm e bujë duhet të marrë vëmendjen e duhur nga policia.
Duhet të marrin fund praktikat e ndodhura në fshat që qytetarët ngacmohen nga punonjës të papërgjegjshëm për riparimin e një palë shkallësh apo një avllie, policia ka mision tjetër”, tha Hoxha.
Ai u ndal edhe tek nevoja e policisë për t’u pastruar nga “qelizat” e infektuara nga krimi. Ministri porositi drejtuesit e rinj të kenë një qasje më proaktive ndaj denoncimeve të qytetarëve dhe mediave.
Emrat janë si më poshtë:
Tiranë – Elton Alushi
Durrës – Vilson Bala
Elbasan – Fatmir Hoxha
Shkodër – Fatmir Lleshaj
Lezhë – Altin Mena
Kukës – Gentian Berberi
Dibër – Artion Duka
Fier – Skënder Hita
Berat – Luigj Vathi
Vlorë – Elidon Çela
Korçë – Erion Ahmeti
Gjirokastër – Altion Merizaj