Në Shqipëri, lufta kundër pasurive të krimit të organizuar ka pësuar statistikisht rritje gjatë viteve të fundit, por menaxhimi i tyre po has në vështirësi, ndërsa mungojnë garancitë ligjore që pengojnë kthimin e këtyre aseteve në duart e grupeve kriminale.
Pastrimi i parave nga grupet e krimit të organizuar vlerësohet si një nga rreziqet kryesore për sigurinë dhe ekonominë e Shqipërisë, e megjithatë, vendi përballet me probleme të shumta në luftën kundër aseteve të paligjshme.
Edhe pse statistikisht numri i pasurive të sekuestruara apo të konfiskuara ka pësuar rritje gjatë viteve të fundit, institucionet përgjegjëse po hasin vështirësi në administrimin e këtyre pasurive apo heqjen e tyre nga duart e krimit të organizuar.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, gjatë pesë viteve të fundit u sekuestruan apo konfiskuan asete me vlerë tregu prej rreth 182 milionë eurosh, të investuara kryesisht në biznesin e ndërtimit, në pasuri të paluajtshme apo në kompani tregtare.
“Rreth 70- 80% e hetimeve pasurore këtu çelen kryesisht ex-officio nga prokurorët, në bazë të hetimeve që ndjekin. Një ndihmesë jep edhe Policia e Shtetit nëpërmjet referimeve dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe po ashtu së fundmi, ka një rritje të kërkesave nga autoritetet gjyqësore të huaja me objekt kryerjen e hetimeve pasurore dhe konfiskime me subjekte shtetas shqiptarë që janë dënuar jashtë territorit të Shqipërisë për vepra që janë në kompetencën tonë,” thotë prokurorja e SPAK, Doloreza Musabelliu.
Megjithatë, jo të gjitha pasuritë e sekuestruara mirëmenaxhohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre vazhdojnë të përdoren nga pronarët e mëparshëm.
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara menaxhon aktualisht 2484 asete në total me një vlerë të llogaritur në 1.7 miliardë lekë ose më pak se 10% e vlerës së deklaruar nga SPAK. Mes tyre, 667 pasuri ose 27% të totalit nuk janë marrë ende nën administrim.
Probleme ligjore janë shfaqur gjithashtu me procedurat e dhënies me qira të apartamenteve të sekuestruara apo administrimin e kompanive të biznesit.
Raste të tilla pranohen edhe nga administratorët e pasurive të sekuestruara, të cilët thonë se janë duke ndërmarrë masa që dukuri të tilla të shmangen.
“Është një fenomen me të cilin janë përballur edhe agjencitë e tjera homologe në vendet e rajonit ose të Bashkimit Europian. Jo gjithmonë është e lehtë që të përballesh me persona të krimit të organizuar dhe t’i administrosh dhe t’i menaxhosh ashtu siç e kërkon ligji. Tentativat janë gjithmonë të shumta, por me bashkëpunimin e organeve përkatëse po marrim të gjitha masat e nevojshme për ta evituar gjithmonë e më shumë këtë fenomen,” është shprehur Indrit Karaj, administrator pranë Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.