Partia Demokratike, nëpërmjet të deleguarit politik për Qarkun e Beratit, Eno Bozdo, ka denoncuar ditën e sotme se si Maliq Zotkaj, djali i kryebashkiakut të Poliçanit, Adriatik Zotkaj brenda 4 muajsh ka fituar dy tendera pa konkurrencë dhe me fond limit 100 % nga koleget e babait të tij.
Tenderat i janë dhënë kompanisë “G&M Construstion 07”, e cila është në pronësi të Maliq Zotkaj dhe Oligert Dyrmishi, ky i fundit për disa vite ka mbajtur postin e Nën Kryetarit të Bashkisë Poliçan.
Një prej tenderave është ai i dhënë nga Bashkia e Përmetit e drejtuar nga Alma Hoxha, për rehabilitimin e rezervuarit Qilarisht. Tenderi u finalizua me një vlerë prej 24,291,841.78 lekë të reja pa TVSH, e cila përkon me gati 100% të fondit limit, që ishte 24,805,385.84 lekë të reja.
Sipas PD-së, në procedurat e këtij tenderi, dy kompani me oferta më të ulëta janë skualifikuar paraprakisht nga gara, duke lënë të vetëm në garë kompaninë e djalit të Adriatik Zotkës, kryetarit të Bashkisë Poliçan.
Ndërsa tenderi tjetër i është dhënë nga Bashkia e Dimalit, e drejtuar nga Juliana Memaj, që ka të bëjë me vazhdimin e shtresës së asfaltit në rrugën Drenovicë, përsëri me ofertë gati 100% të fondit limit dhe përsëri në mungesë të plotë të konkurrencë, pra me një garues të vetëm.
Sipas PD-së, kryetaret e Bashkive të Përmetit dhe Dimalit, Alma Hoxha dhe Juliana Mema, preferojnë të shkelin ligjin dhe t`ia falin tenderat djalit të kolegut të tyre në Poliçan, Adriatik Zotkajt.
Me aq sa duket Adriatik Zotkaj nuk i ka mirë marrëdhëniet vetëm me koleget e PS, por edhe me ata të PD, konkretisht Hil Curri, kryebashkiaku i Fushë Arrëzit.
Kujtojmë se në Gusht të këtij viti, firma e djalit të Adriatik Zotkaj, duke ofruar ofertën më të lartë, ka fituar tenderin për rikonstruksionin e kopështit në Fushë Arrëz, për vlerën 39,800,124.22 lekë.
Sipas të dhënave zyrtare, G & M CONSTRUCTION 07 është shpallur fitues me një ofertë prej 39,800,124.22 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 500 milionë lekë të vjetra me TVSH, ndonëse në garë morën pjesë katër operatorë të ndryshëm që ofruan shifra më të ulëta.