Kryebashkiakja e Roskovecit, Majlinda Bufi, duket se po tërheq sërish vëmendjen e SPAK-ut, pas përfshirjes së saj në disa dosje të rëndësishme. Ajo ka shpëtuar herë pas here nga hetimet, por si duket nuk ka mësuar ende nga gabimet e saj. Këtë herë, Bufi ka marrë një tjetër veprim që ka ngritur dy flamuj të kuq për institucionet përgjegjëse, duke kërkuar riparimin e dy shatërvanëve të qytetit të Roskovecit. Për këtë, ka shpallur një tender me objekt “Riparime në memorialin dhe 2 shatërvanët e qytetit” me një fond limit prej 17 milionë lekësh.
Në fakt, bëhet fjalë për dy bordura betoni që nxjerrin ujë, të cilat Bufi i quan shatërvanë, dhe për to do të shpenzohen shuma të konsiderueshme, duke i marrë qytetarëve lekë që mund të ishin përdorur për projekte më të dobishme. Dokumentet tregojnë se, për këtë tender, vetëm një kompani, “AR & ED” SHPK, ka dorëzuar ofertën e saj, pa pasur asnjë interes tjetër nga kompani të tjera. Afati i shkurtër prej vetëm 6 ditësh e ka bërë të pamundur pjesëmarrjen e operatorëve të tjerë në këtë garë.
Në këto kushte, procedura tenderuese do të duhej të anuloheshin për shkak të mungesës së konkurrencës. Por, ashtu siç ndodh shpesh herë, Bufi e ka shpallur menjëherë fituese kompaninë “AR & ED” SHPK, e cila është në pronësi të Edurd Buzit, një emër që ka krijuar dyshime për lidhje të ngushta me pushtetin lokal. Të gjitha procedurat, si verifikimi i dokumenteve dhe kriteret e tjera ligjore, janë anashkaluar, duke treguar se çdo gjë ka qenë paraprakisht e negociuar dhe e vendosur.
Për këtë arsye, Open Data Albania ka ngritur dy flamuj të kuq: i pari për mungesën e konkurrencës dhe shkeljen e rregullave bazë të tenderimit, dhe i dyti për procedurën me negocim, që është po ashtu një shkelje ligji. Ky fakt ka qenë një problematikë e ngritur edhe nga Kryeministri Rama dy vjet më parë, por duket se bashkitë e tij nuk po i dëgjojnë këshillat dhe vazhdojnë të kalojnë mbi ligjin dhe rregullat.