Kryeministri Edi Rama dhe Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, po mbledhin emrat e propozuar nga drejtuesit socialistë në Qarqe për listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 11 majit.
E ndërsa afati përfundimtar për dorëzimin e listës së kandidatëve në KQZ është 12 marsi, Rama e Klosi duket se po marrin në pyetje drejtuesit e qarqeve për çdo propozim përsa i takon listës së propozuar.
Gjithçka po kryhet larg vëmendjes të mediave, ndërsa Rama ka zgjedhur vilën qeveritare 31 për të pritur e përcjellë drejtuesit politikë të qarqeve.
Të parët nga drejtuesit e qarqeve që janë pritur nga Rama dhe Klosi në takime janë Emirjana Sako, kryebashkiakja që drejton fushatën e PS në Durrës dhe Benet Beci, kryebashkiaku i Shkodrës që drejton fushatën e socialistëve në kryeqendrën e Veriut. Më pas ishte Ulsi Manja që drejton fushatën e PS në Lezhë. Gjithashtu Mirela Kumbaro si drejtuese politike për Qarkun e Gjirokastrës ka përfunduar takimin.
Përtej emrave të rinj të propozuar, të paktën 4 kryebashkiakë socialistë, kanë shprehur gadishmërinë për të hyrë në garën e 11 majit. Bëhet fjalë për Kryebashkiakët Ervin Demon, kryetar i Bashkisë së Beratit, Juliana Mema, kryebashkiake e Dimalit, Tërmet Peçi, kryetar i bashkisë së Tepelenës dhe Agron Malaj, kryetar i bashkisë së Matit.
Demo është caktuar si drejtues politik i PS-së në Berat dhe me shumë gjasë do të jetë në listën e sigurtë, ashtu si Juliana Mema që pritet të kandidojë në të njëjtin qark. Ndërkohë Tërmet Peçi pritet të kandidojë në Qarkun e Gjirokastrës, ndërsa Malaj në atë të Dibrës.