Ndonëse fitorja e Donald Trump ka ekzaltuar të korruptuarit, duket se janë të pakta shanset që t’ia hedhin paq.
Më të lumturuarit janë Meta dhe Berisha, të dy nën akuzë dhe me masë sigurie, njëri i izoluar në banesë dhe tjetri në qeli. Berisha akuzohet për korrupsion, ndërsa Meta për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Por ajo që tërheq vëmendje, është se te dosja e Metës, SPAK nuk është marrë shumë me pasurinë, vilën në Lalëz, pallatin e Monikës në Laprakë, shtëpia te Kodra e Diellit, etj. SPAK përmend vetëm një episod të dubleksit që blenë në Bllok, të cilin nuk e kishin deklaruar.
Por sipas burimeve, në SPAK ka nisur një hetim paralel në kuadër të ligjit Antimafia. Sipas ligjit, në momentin që një zyrtar merret nën akuzë për korrupsion, menjëherë nis zbatimi i ligjit Antimafia, për të gjetur dhe zbuluar pasuritë që mund të jenë vënë nga korrupsioni.
Para Reformës në Drejtësi, në ligjin Antimafia ishin vendosur vetëm veprat kriminale të kryera nga grupet kriminale. Por në kuadër të Reformës në Drejtësi, ligji ka ndryshuar dhe pjesë e tij është bërë dhe korrupsioni nga zyrtarët apo ish zyrtarët e lartë të shtetit.
Më saktë janë futur 14 vepra penale. Aty jepen rrugët që do të ndiqen për sekuestrimin e pasurisë dhe interesant është fakti se tani një rol të madh do të ketë Prokuroria Speciale Antikorrupsion, e cila ka në fokus zyrtarët. Sipas ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit, dhe krimeve të tjera të rënda nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i njohur si antimafia, nëse vërtetohet se një pasuri është vënë përmes shpërdorimit të detyrës, korrupsionit, shkeljeve në detyrë, etj, atëherë ajo sekuestrohet. Po ashtu është përcaktuar dhe rrethi i familjarëve që preken. Disa prej veprave të korrupsionit të përfshira janë: Korrupsioni aktiv në sektorin privat; Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike; Shpërdorimi i detyrës; Shpërdorimi i kontributeve të dhëna nga shteti; Përfitimi i paligjshëm i interesave; Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, etj.
Sipas ligjit pasuria u sekuestrohet edhe të afërmve të të akuzuarit, nëse vërtetohet se ai e ka regjistruar atë në emër të tyre, përfshirë motra, vëllezër, prindër, bashkëjetues, etj.
Te Berisha, kemi sekuestrimin e një sërë apartamentesh në pronësi të dhëndrit të tij, por te Meta nuk ka asnjë sekuestro.
SPAK po verifikon tani brenda dhe jashtë vendit, teksa mësohet se hetimi është shtrirë te vëllai i Monikës, tek i ati i Metës dhe te njerëz të tjerë, përfshirë dhe biznesmenë, që dyshohet se në emër të tyre janë kamufluar pasuritë.
Vetëm pasuria që ata kanë deklaruar te ILDKP, kalon shifra miliona euro, imagjino sa të tjera ka pa deklaruar. Si e vunë ish-çifti presidencial kaq shumë pasuri? Nëse SPAK nuk ua sekuestron, atëherë për ta burgu është asgjë. Kur të dalin do vijojnë të jetojnë në luks.