Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri më 31 janar 2025 kanë futur në listë të zezë plot 398 individë dhe organizata nga Ballkani.
“Zëri i Amerikës” në gjuhën serbe, ka hartuar një databazë me të gjithë të sanksionuarit nga rajoni jonë dhe sipas të dhënave të publikuara, në krye të listës është Bosnjë-Hercegovina me 177 individë dhe organizata, pasuar nga Serbia me 80, Kosova me 60, Maqedonia e Veriut me 46, Shqipëria me 23 dhe Mali i Zi me 11.
Kjo është databaza e parë hulumtuese e të dhënave që përfshin të gjitha sanksionet e Zyrës për Kontrollin e Pasurive të Huaja të Departamentit të Thesarit (OFAC) dhe sanksionet e shpallura nga Departamenti i Shtetit gjatë periudhës 2017-2024.
Nëse shkojmë te Shqipëria, bëhet fjalë për 19 individë dhe 4 organizata. Duke u ndalur te individët, disa dihet se kush janë. Është Adriatik Llalla me familjen, Sali Berisha me familjen, Tom Doshi me familjen dhe Vangjush Dako me familjen, Aqif Rakipin, Idajet Beqiri dhe Spiro Butka.
Ndërkohë sa i takon organizatave të sanksionuara janë 4 prej tyre. E para është “Huriya Private FZE LLE”, një firmë me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Por ajo rezulton e lidhur me rusët dhe janë sanksionuar të gjitha degët e saj, përfshirë dhe në Shqipëri.
Emri i dytë është “Al-Haramain: Dega Shqipëri”. Bëhet fjalë për një organizatë të lidhur me Al-Kaedën. Fondacioni është cilësuar nga OKB si i lidhur me Osama bin Laden dhe i përshirë në pjesëmarrje, financimin, planifikimin, lehtësimin, përgatitjen ose kryerjen e aktiviteteve në emër ose në mbështetje të Al-Kaedës.
Në listë është edhe “Global Relief Foundation Inc”. Bëhet fjalë po për një organizatë islame. Edhe ajo është cilësuar nga amerikanët si e lidhur me Al-Kaedën.
E sanksionuar është edhe “Shoqëria e Ringjalljes së Trashëgimisë Islame”. Ajo është një organizatë me bazë në Kuvajt. Gjithashtu dyshohet si e lidhur me Al-Kaedën.