“Informo shqiptarët për ‘peshkun e madh’, me ç’rast i dorëzove Edi Ramës 460 mijë euro”, iu drejtua Berisha-Kryemadhit.
Ditën e djeshme ka bërë bujë një deklaratë e ish-ministrit Lefter Koka në përballjen me prokurorët e SPAK për dosjen e inceneratorit të Elbasanit.
Ai u ka thënë prokurorëve Klodian Braho e Arben Kraja që të hapin celularin e Monika Kryemadhit dhe të gjejnë kush është “peshku i madh” .
Kjo deklaratë e Lefter Kokës tërhoqi edhe vëmendjen e Sali Berishës, duke thënë se atij iu rikthye guximi.
“Sot personi të cilin e kemi quajtur gjithnjë “ladro utile” – hajdut i dobishëm, Lefter Kokës i erdhën dy pare mend. Iu rikthye edhe guximi. Sot, në sallën e gjyqit, ai deklaroi se “nuk jam unë autori i djegësve”, se “peshku i madh është në telefonin e zonjës Kryemadhi”. Miq, Lefter Koka deklaroi me përgjegjësi para gjyqit se “peshku i madh” është vetëm një dhe e ka emrin Edi Rama” – tha Berisha duke i bërë një thirrje Kokës.
SPAK ditën e ndjeshme kërkoi në Apel ndryshimin e vendimit të shkallës së parë, që shpalli të pafajshëm për akuzën “shpërdorim detyre” ish-deputetin socialist Alqi Bllako dhe ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka në lidhje me aferën e inceneratorit të Elbasanit.
Prokurorët Klodian Braho dhe Arben Kraja kërkuan që Bllako të dënohet me 4 vite burg, në përfitim të gjykimit të shkurtuar 2.8 vite burg, ndërsa për Kokën u kërkua t’i shtohet edhe dënimi për “shpërdorim detyre”.
Por në seancë Lefter Koka ka kundërshtuar prokurorët, duke thënë se akuza për të, është e njëjtë me kallëzimin që ka bërë Monika Kryemadhi.
Ish ministri ka hequr përgjegjësinë nga vetja, duke u treguar prokurorëve se indicjet për të shkuar te “peshku i madh” mund t’i gjejnë në celularin e ish-kryetares së tij, kur ishte pjesë e LSI.
“S’jam unë peshku i madh, nuk dënoni korrupsionin me mua. E keni gabim e dëgjova prokurorin sot dhe ky është fiks kallëzimi i Monika Kryemadhit. Ata janë manipulatorë si Monika si Iliri. Doni të gjeni korrupsionin, hapni telefonin e Monika Kryemadhit. Megjithëse u bë një vit hetim, konkluzionet e prokurorëve janë pa asnjë ndryshim. Unë e kuptoj qe institucioni do të marrë kredibilietet, edhe kjo gjykatë do jetë presion por besoj qe do jepni drejtësi re do ngriheni në nivelin e duhur të integritetit.”, – u ka thënë Koka prokurorëve të SPAK.
Ish-ministri i Mjedisit është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Posaçme për akuzën e shpërdorimit të detyrës për inceneratorin e Elbasanit.
Ndërkohë ish-kryeministri Sali Berisha duke ju folur dje mbështetësve nga ballkoni i shtëpisë së tij, i bëri thirrje Monika Kryemadhit të tregojë emrin e “peshkut të madh”.
“Ndaj dhe këtu para jush, i bëj thirrje zonjës Kryemadhi, e cila deklaroi se Edi Rama ka urdhëruar Dumanin të fshijë të gjthë komunikimet e saj me Edi Ramën, t’ju bëjë të ditur shqiptarëve, të informojë shqiptarët për ‘peshkun e madh’, të informojë shqiptarët me ç’rast i dorëzove Edi Ramës 460 mijë euro”, u shpreh Sali Berisha.