Ergys Agasi , një emër që deri dje ishte relativisht i panjohur për publikun, është kthyer në qendër të vëmendjes për shkak të akuzave të rënda të ngritura nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj.
Ahmetaj ka vijuar ta përmendë Agasin, duke e përshkruar atë si një figurë kyçe në lidhjen mes politikës dhe botës së krimit.
Sipas Ahmetajt, Ergys Agasi është një nga ndërmjetësit kryesorë të kryeministrit Edi Rama me mafian dhe trafikantët e drogës. Madje, gazetarja Klodiana Lala e ka përshkruar Agasin si personin që ka organizuar një takim mes politikës, krimit dhe biznesit në Tiranë, duke luajtur rolin e koordinatorit të krimit me politikën.
Por kush është Ergys Agasi?
Agasi është djali i ish-deputetit socialist Bardhyl Agasi, i cili ka qenë Sekretar i PS në kohën kur kjo forcë politike drejtohej nga Fatos Nano. Pavarësisht prejardhjes së tij socialiste, Agasi hyri në skenën politike përmes LSI-së së Ilir Metës. Ai mori drejtimin e Inspektoratit të Mjedisit në kohën kur Ministër i Mjedisit ishte Lefter Koka, tani i dënuar për aferën e inceneratorëve.
Gjatë kohës në këtë post, Agasi duket se ka krijuar lidhje të forta me Alqi Bllakon, me të cilin ka edhe një kompani të përbashkët, “EA Logistics”, që operon në fushën e transportit kombëtar dhe ndërkombëtar.
Pas dorëheqjes nga detyra në shtator 2017, kur koalicioni mes PS dhe LSI u prish, Agasi u afrua sërish me Partinë Socialiste.
Akuzat ndaj tij nuk janë të reja. Më herët, ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se Ergys Agasi është një ndër njerëzit që kontrollon bandat e Durrësit për llogari të Edi Ramës. Berisha e ka akuzuar gjithashtu për përfshirje në kontrabandë dhe kontroll të aktiviteteve kriminale në zona të ndryshme të vendit.
Tani është në dorën e SPAK të hetojë këto akuza të rënda ose të vendosë t’i lërë ato pas dore.