Të gjitha gjurmët çojnë te Ylli Ujka…
Një deklaratë e bërë nga profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuco, gjatë emisionit “Top Story” ka ngritur dyshime të forta mbi financimin e zgjedhjeve të 2025-s. Sipas tij, një biznesmen është aktualisht në hetim nga SPAK për financimin e një fushate elektorale. Karamuco nuk përmendi emrin e tij, por theksoi se SPAK ka caktuar prokurorë të specializuar për të hetuar zonat elektorale. Pas deklarates se forte, analisti Arjan Curi hodhi dyshime se biznesmeni mund të jetë nga qarku i Vlorës ose i Lezhës.
Në javët e fundit, një fushatë e dyshimtë propagandistike është përhapur online, e maskuar si një nismë patriotike që synonte të ndihmonte shqiptarët e diasporës për t’u regjistruar në votime. Kjo fushatë u shfaq në Facebook dhe Instagram përmes faqeve ”Diaspora Fier” dhe ”Comunità Albanese in Italia”, duke synuar emigrantët shqiptarë me reklama të sponsorizuara që i ftonin të regjistronin të dhënat e tyre personale, përfshirë emrin e plotë, numrin e telefonit, email-in dhe të dhënat e kartës së identitetit. Mungesa e transparencës mbi organizatorët e kësaj fushate e bëri atë akoma më të dyshimtë.
Kush është biznesmeni që po heton SPAK për krim zgjedhor?
Sipas të dhënave të Meta (Facebook & Instagram), pas kësaj fushate qëndronin dy kompani marketingu, ‘Cambria Marketing Srl’ dhe ‘1001 Solutions’, të dyja të lidhura ngushtë me biznesmenin Ylli Ujka.
Ujka, një emër i njohur për lidhjet e tij me qeverinë dhe Edi Ramën, ka organizuar më parë aktivitete politike për Partinë Socialiste në diasporë, siç ishte tubimi i mbajtur më 26 maj 2024 në Busto Arsizio, Itali. Ky event elektoral, me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama dhe këngëtarëve Alban Skënderaj, Artiola Toska dhe Noizy, u organizua për të mobilizuar votuesit shqiptarë jashtë vendit, ndërsa atmosfera e ngjarjes ishte e mbushur me brohoritje në mbështetje të PS-së.
Dy muaj pas këtij tubimi, më 31 korrik 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), i drejtuar nga Rama, miratoi një leje ndërtimi për kompaninë ‘X One’ të Ylli Ujkës. Leja përfshinte ndërtimin e tre kullave dhe një hoteli luksoz në qendër të Tiranës, në një zonë strategjike pranë Liqenit Artificial. Ky nuk ishte shpërblimi i vetëm për Ujkën. Ai gjithashtu siguroi 4 milionë metra katror tokë për fotovoltaikë në Poliçan përmes procedurave të dyshimta, duke paguar një qira simbolike prej vetëm 700 mijë eurosh në vit për një sipërfaqe që mund të vlente dhjetëra milionë euro.
Lidhjet mes këtyre zhvillimeve ngrejnë pikëpyetje të forta mbi financimin elektoral të Partisë Socialiste. A ishte financimi i fushatës elektorale një investim i Ujkës për të siguruar më pas kontrata dhe projekte nga qeveria? Nëse SPAK po heton një biznesmen për financim elektoral të paligjshëm dhe përfitime të dyshimta nga shteti, të gjitha faktet të çojnë drejt Ylli Ujkës.
Për më tepër, ka dyshime të forta se pas Ylli Ujkës qëndrojnë disa grupe kriminale, të cilat janë investuar ndjeshëm për të siguruar votat e diasporës për Partinë Socialiste. Në këmbim, këto grupe pritet të kenë mundësinë e pastrimit të parave përmes kullave dhe projekteve fitimprurëse që Rama ia jep ekskluzivisht Ujkës. Ky skenar, nëse provohet nga hetimet e SPAK, do të tregonte një skemë të mirëorganizuar të kapjes së shtetit përmes ndërthurjes së politikës, biznesit dhe grupeve kriminale.
A do të ketë guxim SPAK ta çojë deri në fund këtë hetim, duke sfiduar interesat e lidhura me pushtetin? Koha do ta tregojë…