SPAK ka thirrur për të marrë në pyetje ish-Drejtorin e Përgjithshëm të OSHEE, Ardian Çela për dosjen ‘Çyrbja’. Çela do të pyetet në cilësinë e drejtuesit të qarkut të Durrësit për PS.
Nga bisedat në SKYECC grupet kriminale pretendojnë se kanë ndikuar që Çyrbja të vendoset më lart në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2021.
Në një komunikim me Çyrben, eksponenti i krimit të organizuar Edmond Koçi, i njohur si Mond Çekiçi, i thoshte se e kishte rregulluar që ai të renditej i pesti në listë.
Ndërkohë që Jurgis Çyrbja rezultoi edhe më lart, i treti. Për të gjitha këto pretendime Dako është pyetur nga hetuesit, pasi ka qenë edhe drejtues i PS në Durrës.
Çyrbja u ‘fundos’ pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin e koduar ‘Sky ECC’, ku u zbulua se informacionet sekrete shtetërore që Çyrbja, arrinte t’i siguronte përmes zyrtarëve, ende të paidentifikuar, duke shfrytëzuar pozitën e tij si deputet ua jepte grupeve kriminale, mes tyre Altin Hajrit. E sipas SPAK, Hajri e shpërbleu duke i siguruar vota në 2021.
Çyrbja dhe bashkëpunëtori i tij Ahmet Masha u arrestuan më datë 20 tetor, me urdhër të SPAK. Ndërkohë, urdhër arresti nuk është ekzekutuar ende për Altin Hajrin, pronar i kompleksit ‘Golden’, i cili prej 4 vitesh është edhe në kërkim si organizator i rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës më 17 janar 2020.
Jurgis Çyrbja akuzohet për “tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer më tepër se një herë, “përkrahja e autorit të krimit”, kryer më tepër se një herë dhe “korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Për gati 3 orë me radhë ish-deputeti socialist, Jurgis Çyrbja dha shpjegime të premten para prokurorëve të SPAK. Seanca e marrjes në pyetje, e zhvilluar në kushtet e sekretit hetimor, nisi në orën 11:00, pasi Çyrbja mbërriti në SPAK nga paraburgimi i Durrësit, ku po vuan masën e “arrestit në burg”.
Në përballjen me prokurorët ish-ligjvënësi i akuzuar për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, “përkrahje e autorit të krimit” dhe “tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit” u shoqërua edhe nga avokati i tij, Ilir Murati.
Në shpjegimet e dhëna prej tij Çyrbja ka mbajtur qëndrim mohues për të tre akuzat. Ai ka këmbëngulur se nuk ka qenë përdorues i aplikacionit SKY ECC, se nuk ka marrë favore në zgjedhje nga njerëz të lidhur me krimin, apo të ketë ndihmuar persona që kërkoheshin nga drejtësia.
Ish-deputeti ka sqaruar rrethanat e njohjes ose jo me persona të tjerë që përmenden në dosjen hetimore ndaj tij.
Ish-ligjvënësi ka mohuar edhe dyshimet e SPAK se i kërkuar nga drejtësia Altin Hajri është ndihmuar nga Çyrbja gjatë qëndrimit në arrati në këmbim të sigurimit të votave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Çyrbja ka pretenduar para prokurorëve se kishte votuesit dhe mbështetësit e tij dhe se nuk i nevojitej i tillë favor. Në kërkesën mes së cilës bindi gjykatën për të mbyllur në paraburgim ish-deputetin, SPAK pretendon se në 7 raste Çyrbja i ka kaluar personave në kërkim nga drejtësia akte që përbënin sekret shtetëror dhe se i ka informuar për disa plane operacionale të Policisë së Shtetit për kontrolle ndaj tyre në zonën e Durrësit. Po sipas SPAK, Çyrbja ka pasur marrëdhënie miqësore me Altin Hajrin, ndërsa ishte në kërkim për rrëmbimin e zhdukjen e Jan Prengës.
Prokurorët e Posaçëm dyshojnë se Çyrbja ka ndërhyrë në favor të Hajrit në agjenci ligjzbatuese në vend, të gjitha në këmbim të sigurimit të votave ndaj tij në zgjedhje.