Jurgis Çyrbja është politikani i parë i arrestuar për shkak të “Sky Ecc”, me sa duket SPAK po hap ‘petët e byrekut’.
Arrestimi i Jurgis Çyrbes duket se do të lërë pa gjumë shumë politikanë mbrëmjen e sotme. Ai nuk është se ka pasur poste dhe është një emër jo shumë me peshë në PS, por rëndësia e arrestimit lidhet me arsyet se përse ai ra në pranga.
Çyrbja bëhet i pari politikan që arrestohet sepse del në përgjimet e “Sky Ecc”. Është deklaruar me qindra herë se platforma e kriptuar është përdorur jo vetëm nga bandat, por edhe nga njerëz të drejtësisë dhe politikanë, përfshirë ministra, ish-ministra, deputetë, ish-deputetë, kryetarë bashkish dhe funksionarë të tjerë.
Deri më tani SPAK ishte fokusuar te grupet e krimit dhe falë dosjeve të ardhura nga Franca apo Holanda, u goditën emrat më të mëdhenj të botës së krimit. Disa u arrestuan dhe disa të tjerë ja mbathën në Dubai.
Por sot u hodh një hap tjetër i rëndësishëm: SPAK tregoi se po shkon te politikanët. Jurgis Çyrbja akuzohet për blerje votash, për përkrahje të autorit të krimit dhe për nxjerrje të sekreteve. SPAK nesër do të japë më shumë detaje, por e sigurt është se ai ka pasur lidhje me kontigjentë të krimit në Durrës.
Të njëjtën gjë si Çyrbja kanë bërë dhe shumë emra të tjerë dhe aksioni sot është një tregues se ndoshta tërmeti po afron për kupolën e politikës. Po ashtu, ka zëra se një aksion i madh do të ndodhë dhe në gjyqësor dhe bëhet fjalë për qindra të arrestuar. Janë shumë gjyqtarë, prokurorë dhe njerëz të tjerë të sistemit gjyqësor që dalin te përgjimet e Sky Ecc.
Sipas burimeve, lëvizjet sot kanë trembur shumë njerëz. Nëse shohim, nuk ka asnjë reagim si nga opozita ashtu dhe nga mazhoranca. Sa herë përmendet Sky Ecc të gjithë heshtin, kjo pasi ja u dinë të palarat njëri-tjetrit. Tani mbetet të shihet nëse SPAK i ka hapur ‘petë e byrekut’ dhe do të vijohet me emra të tjerë përveç Çyrbes.