Deputetja e Partisë Socialiste Klotilda Bushka është paraqitur mesditën e sotme në SPAK.
Deputetja e PS është marrë nën hetim nga SPAK pasi akuzohet për kryerjen e veprimeve aktive “që pengojnë zbulimin e së vërtetës” në rastin e dosjes së kryebashkiakut Erion Veliaj. Kjo është hera e parë që Bushka paraqitet në Prokurorinë e Posaçme, pasi ka deklaruar se nuk është pyetur asnjëherë nga prokuroria lidhur me këtë çështje.
Bushka ka punuar si juriste në kompanitë e bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa. Dyshohet se deputetja e PS ka ndikuar te dëshmitarët, si dhe nuk ka dorëzuar të gjitha dokumentet e kërkuara nga prokuroria.
“Prokuroria e Posaçme po kryen hetime paraprake ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, shtetases Klotilda Bushka Emri i kësaj të fundit është regjistruar në regjistrin përkatës të njoftimeve si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.
Deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim Klotilda Bushka ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar falenderon Policinë e Shtetit për bashkëpunimin në fazën e ekzekutimit të masave të sigurisë”,thuhet në reagimin e SPAK.